Paraditën e të martës, më 8 tetor 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt, drejtorin për Ballkanin e “Komisionit për Evropën dhe dy Amerikat”, në Kuvajt, z. Mahmud En-Nexhdi, që shoqërohej edhe z. Samed Shehu, drejtor i Fondacionit “Mirënjohja”.
Myftiu i uroi mirëseardhjen në Shkodër mikut të nderuar nga Kuvajti, ku theksoi se bashkëpunimet me qendrat islame dhe fondacionet bamirëse nga Shteti i Kuvajtit i kanë dhënë një frymëmarrje aktivitetit islam në Shkodër e Shqipëri, sidomos nëpërmjet zbatimit të projekteve për ndërtimin e xhamive të reja, mbështetja e vazhdueshme e jetimëve, projektet sociale, etj.
Njëkohësisht Myftiu falënderoi bashkëpunimin e frytshëm me fondacionin “Mirënjohja”, që solli edhe mundësimin e fillimit të punimeve për xhaminë e re në lagjen Kiras.
Nga ana e tij, z. Mahmud En-Nexhdi shprehu kënaqësinë e tij për vizitën e dytë në Shkodër brenda këtij viti, sikurse e garantoi Myftiun për vijimësinë e bashkëpunimeve të dobishme në të ardhmen.
Bashkarisht, ata vizituan edhe kantierin e punës, ku po ndërtohet xhamia e re e lagjes Kiras, që ditë pas dite po merr formë dhe po hijeshon zonën dhe qytetin e Shkodrës.