Paraditën e së hënës, më 7 tetor 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, vizitoi drejtorin e ri të bibliotekës së Shkodrës, z. Maxhid Cungu, të cilin e uroi me rastin e marrjes së detyrës.
Në këtë vizitë, në shoqëri edhe të z. Lorenc Luka, Myftiu vlerësoi bashkëpunimin e myftinisë me bibliotekën e qytetit, sikurse falënderoi edhe kontributin e drejtorit pararendës, z. Gjovalin Çuni, në ruajtjen dhe forcimin e këtij bashkëpunimi me vlerë në drejtim të promovimit të dijes së dobishme.
Bashkëbisedimi u soll rreth botës së librit dhe jetës kulturore në qytetin e Shkodrës, ku u theksua domosdoshmëria e botimeve të reja dhe promovimi i vlerave qytetare nëpërmjet studimit dhe nxjerrjes në pah të traditave dhe kulturës së qytetit të Shkodrës.
Me rastin e kësaj vizite, Myftiu dhe drejtori i bibliotekës këmbyen disa botime të institucioneve përkatëse.