Podgoricë, 12-13.10.2019
Ka nisur punimet Konferenca Ndërkombëtare me temë: “Edukimi joformal islam në gjuhën shqipe”, organizuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, në bashkëpunim me Institutin Ndërkombëtar të Mendimit Islam. Qëllimi i saj është konsolidimi i infrastrukturës dhe kurrikulave të nevojshme për arsimimin islam të brezave të rinj. Konferenca mbahet në Podgoricë të Malit të Zi, në datat 12-13 tetor, dhe në të do të referojnë 25, akademikë, profesorë universitetesh e medresesh, apo intelektualë që kanë kontribute të njohura në fushën e arsimit islam.
Konferenca u hap me fjalët përshëndetëse nga Rifat Fejziç, Reis i Bashkësisë Islame të Malit të Zi; Dr. Ardian Muhaj, Drejtor i AIITC dhe Prof. Dr. Ahmet Alibašić, Drejtor i Qendrës për Studime të Avancuara, Sarajevë. “Koordinimi i mësimit islam joformal me mësimet në shkollat publike” ishte tema e referatit kryesor mbajtur nga Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, Drejtor i Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, Tiranë. Fillimisht, ai bëri një qasje krahasuese për rrugëtimin e mësim-besimit në dy sisteme, gjatë diktaturës dhe në ditët e sotme. Duke i mëshuar interesit në rritje për edukimin me parimet islame të brezit të ri, ai propozoi krijimin e shkollave fetare alternative, të ndara në 4 cikle, ku fëmijëve do t’u ofrohen dije rreth Islamit, sipas moshave dhe stadit të zhvillimit.
Me interes ishte edhe ligjërata e Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed Sytarit, i cili vuri theksin në ndikimin e hytbes dhe vasit, si mediume të edukimit islam në rajonin e Shkodrës. Referuesit shkëmbyen eksperiencat në fushën e arsimit joformal islam në gjuhën shqipe dhe sfidat me të cilat ata përballen çdo ditë gjatë mësimdhënies.
Emra të tjerë të njohur, si Prof. Dr. Naser Ramadani, Dr. Valon Myrta, Hafiz Safet Hoxha, Prof. Dr. Shaban Sulejmani, Doc. Dr. Ziber Lata, Omer Kajoshaj, Mr. Vaxhide Bunjaku, Mr. Muzaqete Kosumi, Prof. As. Dr. Fahrush Rexhepi, Asoc. Prof. Dr. Muhamed Ali etj., ishin pjesë e ditës së parë të Konferencës Ndërkombëtare me punimet e tyre cilësore dhe shumë të thelluara. Ligjëratat dhe diskutimet do të vazhdojnë edhe në datën 13 tetor, ku në fund të konferencës do të dilet me përfundimet dhe sugjerimet përkatëse.
(www.aiitc.net)