
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar edhe nga sekretari i Këshillit të Myftinisë, H. Fejzi Zaganjori dhe teologu Lavdrim Hamja, zhvilloi ditën e mërkurë, më 25 dhjetor 2019, vizitat tradicionale në dy kishat e Shkodrës, prej ku përcolli edhe mesazhin e tij të kësaj dite.
Myftiu uroi fillimisht në kishën ortodokse, pastaj në kishën katolike, ku ndau mesazhet e tij me Atë Aleksandër Petanin dhe Mons. Angelo Massafra.
Në një mesazh mediatik, Myftiu theksoi se: “Përtej datave, është e rëndësishme të përqendrohemi tek mesazhet e momenteve të shënuara, që njeriu të kthehet nga Zoti e të paqtohet me Të!
Jemi dëshmitarë se, gjithandej nëpër botë ka kriza e luftra, gjakderdhje, shtypje e shkelje të drejtave të njeriut. E, kjo, nëse buron nga diçka, buron nga mosbesimi dhe largimi i njeriut nga dera e Zotit.
Prandaj, mesazhi më i mirë i komuniteteve fetare është lidhja dhe afrimi i njeriut me Zotin e gjithësisë dhe me njëri-tjetrin, për të jetuar në paqe e larg padrejtësive!”.