Kapu fort pas fesë tënde, dëshmoje me krenari Islamin tënd!

📜 Një ajet i shkurtër në suren Ez-Zuhruf, që peshon më shumë se gjithësia në raportet që duhet të kemi unë dhe ti me besimin dhe udhëzimin tonë fetar!

Ajo që ne si njerëz mendojmë dhe gjykojmë se është më e mira dhe më e drejta, është përherë relative, që do të thotë se mund të jetë e gabuar, krejtësisht e gabuar! Historia e largët dhe ajo e afërt është dëshmitari më i mirë për këtë, në të gjitha drejtimet, pa përjashtim!

Sa e krime i ka shkaktuar njeriu fetar vllasë së tij njeri, me “bekimet” e atyre që për disa janë “të shenjtë”, por që në të vërtetë, në fjalorin e logjikës së pastër njerëzore mund të quhen shumë thjeshtë: kriminelë, terroristë, shkatërrimtarë, që veç me fenë e besimin nuk mund të kenë lidhje! (Sa qindra mijëra, madje thuaj miliona njerëz të pafajshëm janë vrarë e djegur, torturuar e shkatërruar, dje e sot, me urdhër të “shenjtorëve” të djallëzuar!?)

Njësoj si sot, kur tradhëtia ndaj çështjeve madhore të ymetit, na paraqitet si vlerë e tolerancës dhe rrugëtim drejt paqes, edhe nëpërmjet propagandave për konsum masiv, nëpërmjet altoparlantëve meskinë, pa shtyllë kurrizore, pa bosht identitar e krejtësisht të shitur para thirrësve të modifikimit genetik të vetë Udhëzimit Hyjnor!?

Atëherë, njeriu ka nevojë për një Dritë të paprekur, të pamanipuluar, të paarritshme përballë tekave dhe djallëzive! Ajo Dritë është burimi i udhëzimit të vërtetë, që falë Zotit, e ka ruajtur për Veten e Tij; ia jep kujt të dojë dhe udhëzon drejt saj kë të dojë!

Dhe, përtej kësaj, secilit prej nesh ia ka dhënë mundësinë e kapjes pas kësaj Drite, që është edhe zanafilla e krejt të mirave në jetën e kësaj bote dhe garancia hyjnore e bekimeve dhe mëshirës në jetën e pasosur!

Një ajet, që duhet ta mësojmë e ta përhapim kudo, plot gëzim e të rrethuar nga bekimet e lumturia që të fal besimi i vërtetë, jo modifikimet pa shpirt, pa asrye, pa zemër, pa dritë!

Është dëshmia, me të cilën, Zoti i gjithësisë i drejtohet Hazreti Muhammedit (alejhis-selam), kur i thotë: “Andaj, ti përmbaju asaj që po të shpallet (dhe kapu fort pas saj), sepse s’ka dyshim se ti je në rrugë të drejtë!”.

Kur Zoti i gjithësisë të thotë se je në rrugë të drejtë, mos dysho kurrë, kapu fort pas fesë tënde, dëshmoje me krenari Islamin tënd, jeto i qetë dhe krenar i kapur fort pas Dritës së Tij, sepse je në HAK!

Kur Zoti i gjithësisë të thotë se je në rrugë të drejtë, ti mos u step para propagandave dhe nxitësve të urrejtjes! Mos u thyej para tyre, se je në HAK! E, kush është në të drejtën e Zotit, të jetojë i qetë e të flejë rehat; hipokrizia me taborrat e veta, idhujtaria me mercenarët vet, kurrë nuk kanë triumfuar!

Përtej forcës e djallëzive të faraonit, Zëri i Musait (a.s.) zgjoi shpresën e, të kapurit pas saj triumfuan!

Përtej tradhëtisë që iu bë Isait (a.s) nga dishepulli i tij, Dashuria e tij triumfoi e Jehudha Askarjotin, Zoti e bëri ibret, duke u kryqëzuar në vend të Mësuesit që tradhëtoi!

Përtej dinakërisë së kurejshëve, jehudëve dhe munafikëve të Mekës e Medines, Resulull-llahu (a.s.) triumfoi e Mëshira, me të cilën u dërgua për mbarë botët, u bë sistem jete e mision i shenjtë për gjithësecilin prej nesh!

Me pak fjalë: “Andaj, ti përmbaju asaj që po të shpallet (dhe kapu fort pas saj), sepse s’ka dyshim se ti je në rrugë të drejtë!” – (Kur’ani, Ez-Zuhruf: 43)

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 6 shtator 2020