
103 haxhilerë nga Shkodra nisen drejt vendeve të shenjta
Mbrëmjen e së xhumasë, më 30 maj 2025, përpara xhamisë së Parrucës, 103 haxhilerë nga Shkodra u nisen drejt vendeve të shenjta. Besimtarë të shumtë, miq dhe familjarë kishin dalë për të përcjellë vëllezërit dhe motrat e tyre, të cilët i janë përgjigjur thirrjes hyjnore për të kryer këtë shtyllë kryesore të fesë islame.
Siç është bërë traditë e lashtë në Shkodër, qytetarë të shumtë, drejtues të Myftinisë Shkodër, imamllarë, familjarë, miq e dashamirë kishin dalë për të përcjellë haxhilerët e Shkodrës.
Në shoqërinë e tekbireve nga minaret e xhamisë së Parrucës, lotëve të gëzimit dhe emocioneve të shumta, haxhilerët u përshëndetën me të pranishmit për t’u nisur drejt aeroportit të Rinasit, prej ku do të fluturojnë direkt për Xhidah të Arabisë Saudite.
I pranishëm në përcjelljen e haxhilerëve të Shkodrës ishte edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili dha edhe një mesazh për mediat e pranishme, ku ndër të tjera thekso: “Përcjellim sonte 103 haxhilerë nga Shkodra, të cilët nisen drejt vendeve të shenjta për të kryer adhurimin e Haxhit, që është një prej pesë shtyllave të fesë islame.
Gjatë këtyre dy javëve të fundit kemi pasur takime intensive me haxhilerët tanë, kemi zhvilluar seanca trajnimi dhe kemi përjetuar emocione shumë të mëdha.
Patjetër që ky është një moment shumë i gëzueshëm për të gjithë ne, edhe për këta vëllezër dhe motra që shkojnë drejt vendeve të shenjta dhe për familjet e tyre, edhe besoj se ky është një bekim i madh për krejt Shkodrën, sepse këta shkojnë drejt vendeve të shenjta me ftesë hyjnore, këta shkojnë se i ka ftuar Zoti! Për këtë ne ndjehemi krenarë dhe ndjehemi shumë mirë, sepse këtë vit kemi 103 haxhilerë që i janë përgjigjur ftesës hyjnore dhe patjetër që e mira dhe bekimi i kësaj ftese na vjen edhe ne në Shkodër.
Lutem me zemër, që të kenë një udhëtim shumë të mbarë, të kenë Haxh të pranuar dhe e mira e këtij adhurimi të kthehet në Shkodër me mirësi dhe bekime në qytetin tonë!”