Të dashur e të shtrenjtë besimtarë!
Tashmë që kaluan 10 ditët e para të Muajit Ramazan 1442, të gjithë jemi të ftuar të mendojmë e të punojmë në drejtim të cilësisë së jetës mbi tokë; të mendojmë se sa shpejt kalon koha dhe sa të papërsëritshme janë mundësitë për të lënë një gjurmë të mirë, mbi të gjitha të pranuar nga Zoti i gjithësisë, gjurmë që sjell dobi për vete e për të tjerët, bazuar mbi fjalën e urtë të Resulullahut (a.s): “Njerëzit janë krejt krijesa të Allahut, dhe më i dashuri i tyre tek Allahu është më i dobishmi i tyre për ta!”.
Jemi të ftuar të punojmë për përmirësimin e cilësisë së jetës mbi tokë, duke kuptuar drejtë se çfarë do të thotë për njeriun cilësimi që Allahu i Madhëruar i bën sojit të tij përpara melekëve: “Unë po vendos në tokë një mëkëmbës…”.
Çfarë do të thotë mëkëmbës? Mëkëmbës i Zotit është ai, që jeton me nder e dinjitet, plot besim e përkushtim, që përpiqet për të mirën, pa paragjykimin e askujt, që ndërton urat e paqes, që mbron me dinjitet e krenari shenjtërinë e fesë, jetës, mendjes, pasurisë e nderit, që mendon e vepron duke vështruar larg e duke bërë llogaritë e tij, si ta dinte se do largohet të nesërmen e çdo dite nga kjo botë!
Muaji i Madhëruar i Ramazanit është një mundësi e mrekullueshme që na përsëritet një herë në çdo 12 muaj, për ta rikujtuar besën e origjinës sonë, besimit e përkushtimit, në të cilin ftohemi për të jetuar me nder, mbështetur mbi urtinë shekullore: “Zoti im, Ti je qëllimi im dhe pëlqimi Yt është kërkesa ime!”.
Mësojmë vit pas viti të agjërojnë gjymtyrët tona; mendja, gjuha, dora, syri, zemra, këmba, veshi, por jo vetëm, në mënyrë që cilësia e jetës sonë të përmirësohet, drejtësia e mirëqenia të dominojnë, siguria e respektimi në komunitet të jenë adresë, harmonia dhe vëllazëria të shihen natyrshëm në çdo komunikim, kultura dhe etika të jenë shenjë dalluese, dituria dhe thellimi në shkencat e ndryshme të saj të ngelen pikësynim i brezave, përkujdesja për prindërit dhe moshën e tretë të jetë shembull për çdo shoqëri, mbrojtja e natyrës dhe kujdesi për kafshët të jetë thirrje e natyrshme gjenetike, dashuria për të bukurën dhe mbrojtja e trashëgimisë të qarkullojë si gjaku në vena, respektimi i pronës private dhe vlerësimi i mendimit të dëshmohet si shenjë qytetëruese, dialogu dhe larmia e platformave për të mirën e shoqërisë dhe vendit, sinjal i pjekurisë intelektuale dhe kulturës së të jetuarit në zhvillim, fushatat elektorale dhe zgjedhjet sipas cikleve legjitime dëshmi e përgjegjësisë për të mirën e atdheut dhe kombit, vullnet i padiskutueshëm i dëshirës për zhvillim, përparim e mirëqenie për popullin, respektimi i kufijve të ligjit e mbi të gjitha ato të besimit shprehje e origjinalitetit në marrëdhënie me jetën në kushte elitarizmi!
Muaji i Ramazanit të sivjetshëm në vendin tonë mbërriti në një situatë shumë më të mirë e më komode për ne besimtarët, se ai i vitit që kaloi, ku si rezultat i masave të marra për shkak të pandemisë, u mbyllëm dhe e jetuam Ramazanin në kushte të padëshiruara, sipas rregullit: “politika e të mundurës”!
Këtë vit, falënderuar qoftë Allahu, lutjet e besimtarëve u pranuan, oraret e lëvizjes u shtynë në dobi të aktivitetit fetar e jetës së xhamisë, teravitë po i shijojmë e namazet po i falim nëpër xhami, njëkohë që në mbarë botën, kufizimet për shkak të pasojave të pandemisë, kanë mbyllur shumë e shumë prej qendrave të botës islame, a e kanë kufizuar dukshëm normalitetin e këtij muaj, sikurse e dini dhe e ndiqni nëpërmjet burimeve të larmishme të informacionit.
Duhet ta falënderojmë Allahun për këtë mirësi, por njëkohësisht duhet të kuptojmë vlerën e madhe të besimit e të fesë në jetën tonë, duke e përkthyer këtë falënderim me përkushtim për të ndryshuar përditë e më shumë në drejtim të reflektimit të fetarizmit të shëndoshë e të ekuilibruar në praktikën e të jetuarit!
Resulullahu (a.s) na mëson se: “Kush nuk e lë gënjeshtrën dhe të punuarit me të, Allahu nuk ka nevojë për ushqimin dhe pijen e tij!”.
Pra, o muslimanë, dëshmojeni frymën e agjërimit në marrëdhëniet e përditshme, në shitblerje, në shtëpitë tuaja, në politikëbërje në shërbim të popullit e interesit kombëtar, në shkollë, në universitete, në punishta e fabrika, në çdo drejtim!
E gjitha kjo, që jeta e jonë të përmirësohet, që komunikimi të rritet në nivelin e tij, që kultura e përgjithshme të pasurohet në vazhdimësi, që brezat të kalojnë stafetën e vlerave, duke merituar bekimet dhe mëshirën e Zotit!
Motra dhe vëllezër!
Ramazani është muaj i solidaritetit me njerëzit në nevojë, një pjesë të dhimbjes së të cilëve e ndjen secili agjërues, që nëpërmjet fitimeve të këtij Muaji, është i ftuar të punojë për luftimin e varfërisë e skamjes, nëpërmjet çdo rruge legjitime, që shpie në realizimin e këtij qëllimi të lartë fetar e kombëtar!
A ka keq atdheu e kombi ynë nëse pasuritë e panumërta natyrore, që na i ka falur Zoti, të përpiqemi t’i mbrojmë, t’i shfrytëzojmë, t’i vlerësojmë e t’i përdorim në shërbim të interesit kombëtar, shoqërisë e mirëqenies në këtë vend?
A ka të keq atdheu e kombi nga përpjekja e secilit prej nesh për të jetuar me dinjitetin e besimit, respektimin dhe mbrojtjen e jetës, vlerësimin e tjetrit si krijesë e Zotit Një, ndihmën e pakursyer për ata që e meritojnë dhe përkrahjen e brezit të ri për të ecur me hapa të qëndrueshëm drejt së ardhmes së rrethuar me bekimet e Krijuesit?
A ka të keq atdheu e kombi nga sensibilizimi i gjithanshëm për respektimin e kufijve të zekatit dhe ndarjes së tij, sipas rregullave të përcaktuara islame, në dobi të kategorive përfituese dhe projekteve për të cilat vlen të ndahet, që mbi të gjitha janë një kontribut i drejtpërdrejtë në eliminimin a zbutjen e varfërisë e skamjes?
Me qindra familje shkodrane, e kalojnë këtë muaj të shenjtë shumë më mirë se çdo muaj tjetër, falë zekatit tuaj, sadekave bujare dhe ndihmave vëllazërore nga Kuvajti, Arabia Saudite, Turqia, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, etj. A nuk është kjo një mirësi e jashtëzakonshme, për të cilën duhet të punojmë edhe më shumë?
Vëllezër e motra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Italia, etj., nuk janë kursyer për të na kontaktuar gjatë këtij Muaji, për të ndarë nëpërmjet Myftinisë Shkodër, sadekatë dhe zekatin e tyre për njerëz në nevojë!
Subhanallah, më pasuron në zemër e shpirt ky garim për të mirë, ky shpirt altruist, kjo dhembshuri e kjo frymë elitare e komunikimit në mesin e njerëzve, Allahu i begatoftë!
Por, duhet të punojmë në vazhdimësi, të korrigjojmë veten, të mos përsërisim gabimet e kaluara, të mos biem në batakun e vetëkënaqësisë, të shtrijmë dorën e bashkëpunimit e të kërkojmë me dinjitet legjitim, atë që e kemi pjesë thelbësore të misionit tonë të Thirrjes Islame dhe, për të cilin punojmë me krejt energjitë tona, duke u ndjerë krenarë çdo ditë e më shumë!
Të dashur të pranishëm dhe ju të shtrenjtë që na ndiqni nëpërmjet rrjeteve sociale dhe mediave në përgjithësi!
Të dielën e 25 prillit 2021, Shqipëria voton! Secili prej nesh, duhet ta ndjejë si përgjegjësi të madhe kombëtare, të mos e neglizhojë të drejtën e tij legjitime, që përkthehet në një përpjekje sociale për më të mirën e vendit dhe jetës sonë, në kushtet e këtij sistemi!
Përse Resulullahu (a.s) udhëzoi sahabët e tij të emigronin nga Meka e bekuar drejt Habeshesë, që e drejtonte një mbret, për të cilin ai zotni tha: “… tek i cili nuk i bëhet kujt padrejtësi!”?
Ky është një mësim i madh në historinë e ruajtjes së dinjitetit të mëkëmbësit të Zotit në tokë! Si për të na thënë, se në rrugën e kërkimit të më të mirës, nuk ka pushim, nuk ka gjumë, nuk ka dorëzim, nuk ka neglizhencë e nuk ka kthim shpine!
Dilni dhe votoni, me lutjen e ditës së Ramazanit, që ky vend e kjo tokë të kenë përherë bekimet e Zotit, që shqiptari të jetojë në harmoni e vëllazëri me shqiptarin, që diversiteti të na shtyjë përherë e më shumë drejt respektimit dhe gatishmërisë për të bashkëpunuar për të mirën e Shqipërisë sonë të shtrenjtë, për të sotmen e rinisë dhe të ardhmen e fëmijëve!
Lutuni në sexhde e pas çdo namazi për Shkodrën, për Shqipërinë, tamam siç lutej Resulullahu (a.s) për vendlindjen e tij e për Medinen e Ndriçuar: “Zoti im, begatoje Medinen, sa dyfishi i begatisë që i ke dhënë Mekës!”.
Lutuni dhe punoni me të gjitha rrugët legjitime, që thelbi i duasë tuaj që del nga zemra, të dëshmohet në tokë, që secili prej nesh e fëmijët tanë të jetojnë me dinjitetin e të përkufizuar në Kuran: “mëkëmbës” i Zotit, i ftuar për të befasuar edhe melekët me përkushtimin dhe lartësinë e tij!
Lutuni dhe jetoni lart, me krejt përzgjedhjet tuaja të urta e largpamëse për të mirën e të sotmes e të ardhmes së këtij vendi, që Allahu e caktoi të jetë atdheu ynë, brez pas brezi!
Allahu i Madhëruar e begatoftë Shkodrën tonë, Shqipërinë e shtrenjtë dhe i gëzoftë zemrat e shqiptarëve me dritën e dashnisë së Tij!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, 23 prill 2021
(Hytbeja e mbajtur në xhaminë e Parrucës, Shkodër, më 23 prill 2021)