Përkujdesja për moshën e tretë në Islam

Mbrëmë, në një bashkëbisedim rreth pozitës së moshës së tretë në Islam, së bashku me të nderuarit Orhan ef. Bislimaj dhe Faruk ef. Ukallo, në RTv Besa, në kuadër të emisionit të përnatshëm: “Karvani i Ramazanit”, organizim i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren.

Rreth 15 shekuj më parë, Resulullahu (a.s), fliste qartë e në mënyrë të prerë se: “Prej madhërimit të Allahut është edhe nderimi i të thinjurit musliman”, për të nxitur kujdesin dhe nderimin e më të moshuarve ndër ne!

Folëm rreth mirësisë dhe bekimeve të mëdha që ka prania e prindërve në mesin tonë, sikurse dhamë mesazhe drejtuar shoqërisë për të pasur në vëmendje më të moshuarit, për t’i falur dashuri e respekt, vëmendje e nderim, për t’i afruar e vlerësuar, për të marrë këshillat e tyre e për të bërë më të mirën e mundshme për mirëqenien dhe begatinë e tyre.

Në rrafsh universal, porosiste: “Sa herë që një i ri nderon një të moshuar, Allahu do t’i ngarkojë dikë që ta nderojë në moshë të thyer”, duke na sinjalizuar se respekti për moshën e tretë nuk njeh kufinj në mesin e racës njerëzore!

Ishim të mendimit se duhet bërë akoma më shumë në drejtim të përkujdesjes për më të moshuarit, për të krijuar kushte të përshtatshme për shëndetin e tyre, anën ekonomike, atë kulturore, atë shpirtërore, etj.

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Prizren, 21 prill 2021