Në kuadër të Muajit të Begatë të Ramazanit, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam realizoi takimin online, me temë “Muaji i Ramazanit në jetën e muslimanit”. I ftuar në këtë takim miqësor ishte Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili solli në vëmendje një sërë mirësish që bart në vetvete ky muaj i shenjtë, sidomos përmes agjërimit.
Takimi u çel nga drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj, i cili bëri një prezantim të shkurtër të myftiut Sytari dhe rëndësisë së trajtimit të kësaj teme. Të pranishmit e ndoqën me interes ligjëratën e Myftiut Sytari, për të cilin Ramazani është momenti më i mirë për reflektim, pasi gjatë këtij muaji përmirësohen marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe skaliten te besimtari virtytet më të mira, si durimi, mëshira, dashuria për Zotin dhe njeriun, sinqeriteti etj.
Sipas tij, është fakt i pashpjegueshëm, se si gjatë agjërimit rritet prodhimtaria e agjëruesit, ai bëhet më produktiv në punët e tij dhe më i kujdesshëm në shfrytëzimin e kohës, meritë që i takon vetëm Zotit. Por Imami Muhamed Sytari tërhoqi vëmendjen se agjërimi është një nga momentet më të bukura për besimtarin, ndaj dhe sinqeriteti i tij duhet të jetë në gradat më të larta, të jetë në paqe me veten dhe të tjerët.
Përmes ajeteve kuranore dhe haditheve profetike, Sytari solli një tjetër këndvështrim të Ramazanit, duke e bërë më të dashur për të pranishmit rëndësinë e këtij muaji. AIITC do të organizojë edhe takime të tjera online mbi rëndësinë dhe vlerat e Muajit të Ramazanit.
www.aiitc.net