Myftiu dhe imamët: “Janë dhunuar krejt xhamitë e Shkodrës, sot!”

Pasdrekën e së martës, më 8 nëntor 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim të gjatë pune me imamët e qytetit të Shkodrës, me të cilët diskutoi zhvillimet e ditëve të fundit në qytetin e Shkodrës.

Ky takim pune vjen në vazhdën e diskutimit dhe trajtimit të fenomeneve negative, me të cilat po përballet opinioni publik dhe masat muslimane në qytetin e Shkodrës.

Myftiu diskutoi edhe mbi shoqërimin e një grupi qytetarësh muslimanë, nga policia e shetit, ditën e shtunë, më 5 nëntor 2016.

Myftiu tha se ka dënuar dhe dënon maksimalisht tendencat e kujtdo, që përpiqet të mbjellë farën e keqe dhe të rrezikshme të islamofobisë dhe dasive fetare në Shkodër, si rasti i lajmit të “shoqërimit të disa muslimanëve për sigurinë e një meshe” në Shkodër!

Ai tha se nuk ka musliman në Shkodër a në botë, që i shkon ndër mend të merret me meshat a aktivitetet fetare të komuniteteve të tjera fetare, aq më tepër të mendojë cënimin a prishjen e tyre!?

Ai tha se Myftinia Shkodër e konsideron këtë përpjekje, banale dhe abuzive me frymën e Islamit 15 shekullor, që kudo dhe historikisht ka rrezatuar vlera humane, tolerancë ndaj komuniteteve të tjera fetare dhe aftësi për të tejkaluar situatat abuzive me të drejtat dhe liritë e individit dhe shoqërisë!

Njëkohësisht, dënoi përpjekjet për ta prezantuar Islamin jashtë rrobës së tij, si dhe fushatat e egra të ekstremizmit laik dhe radikalizmit islamofob në vendin tonë, që vetëm se nxisin urrejtje dhe mbjellin injorancë, me të cilat Islami është i ndarë!

U dënua maksimalisht edhe dhunimi i bërë mëngjesin e sotëm, i objektit të xhamisë së Madhe në Fushë Çelë, Shkodër. Myftiu theksoi se, duhet të marrim masat për mbrojtjen e xhamive tona nga injoranca e jashtme, islamofobia e organizuar dhe tendencat për denigrimin e imazhit të Islamit në vendin tonë!

“Janë dhunuar krejt xhamitë e Shkodrës, sot!” -, u theksua nga të pranishmit.

Në këtë takim u diskutua edhe për fenomenin e përmbytjeve të frikshme të ndodhura në vendin tonë, ditën e sotme, ku u dha udhëzim, që pas namazeve ditore dhe ditën e xhuma, të organizohen lutje masive dhe të ftohen njerëzit drejt paqtimit me Zotin e gjithësisë!