Në gjuhën e virtyteve të shenjta, atyre që ia shtojnë jetës bekimin dhe mbarësinë, fjala KURBAN, ka kuptimet e afrimit… Afrim me Zotin, me dashninë e Tij, me besimin, me natyrën, me krenarinë e të jetuarit si krijesë e Zotit, NJERI me vlera e paqësor, paqtues, garant i saj me këdo, kurdo e sido… Por, edhe luftarak për të mbrojtur shenjtëritë me forma e mënyra legjitime, përballë injorancës e errësirave… Si të thuash, NJERI i ekuilibruar dhe ekuilibrues..!
KURBAN, është frymë e mision, që nis nga njeriu e përfundon te dyert e pranimit dhe të afrimit me Zotin e gjithësisë, nëpërmjet rrugëve të paqes dhe respektimit të tjetrit, sipas thirrjes së shenjtë: “O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam nga një mashkull dhe një femër, ju bëmë ju popuj dhe fise, që të NJIHENI në mes vete. Më i fismi ndër ju tek All-llahu (Zoti), është më i përkushtuari ndër ju!”…
Historia e KURBANEVE është histori besimi, përkushtimi e sakrifice. KURBAN bën, por KURBAN edhe bëhesh!
Bën atëherë, kur kupton se rruga drejt Zotit, vlerave të besimit dhe lëvizjes së shpirtit për të ndërtuar në jetë, nis nga kuptimi i vetvetes, Zotit, besimit, tjetrit e vetë jetës… Dhe, nga ky stacion ndryshimi, nis e afrohesh me shumë kujdes, por me shumë pastërti e përkushtim, derisa arrin të kapërcesh shkallën e sprovës: “E, prej njerit prej tyre, U PRANUA (kurbani)…”!
Bëhesh, kur fillon dhe e përsos marrëdhënien me vetveten, duke iu kushtëzuar asaj, sipas vullnetit për të arritur gradën e afrimit me Hakun, duke bërë KURBAN tekat, përtacinë, injorancën, kopracinë, varfërinë, urrejtjen, smirën, zemërvogëlsinë, derisa arrin në gradën e lartë, prej ku përftohet dëshmia e madhe: “Ka triumfuar, ai që është pastruar!”…
Ndërkohë, ndodh që KURBAN edhe të të bëjnë… Historia është e mbushur me ndodhi kurbanesh. Jo prej atyre që të afrojnë me të shenjtën, as me virtytin, as me vlerat dhe bekimet e shpërndara kudo në horizonte! Kurbane të djallëzuara, histerike, të pakuptimta e “jashtë orbitave” të normalitetit…
Në Shqipëri, në vitin 1967, shteti bëri kurban fenë, fetarët, xhamitë, kishat, teqetë, hoxhallarët, myderrizët, priftërinjtë, baballarët, dervishlerët e muhibët e së mirës… I bëri kurban pa pyetur, duke ia nxirë fytyrën KOMBIT, Shqipërisë së shtrenjtë, historisë…
Arriti deri aty, sa u përpoq të bënte kurban një ndër vlerat më të larta të dinjitetit njerëzor e besimtar, HARMONINË e besimit dhe besimtarëve të feve të ndryshme… E dëshmon këtë, edhe i burgosuri i zullumit komunist, Hafiz Musa Dërguti (1888-1961), kur thotë: “Më kërkojnë me folë për priftën, dojnë me na përça, e nesër me thanë se u pushkatuen priftënt me dëshmitë e hoxhallarëve. U kam thanë bani çka të doni, se atë punë s’e baj kurr” – (Ahmet Bushati, “Në gjurmët e nji ditari”, Shkodër, 2007, f. 428.)…
Sot, herët, ndjeva neveri të madhe, teksa lexoja ca lajme kontradiktore e krejtësisht dashakeqe, që mbjellin urrejtje dhe krijojnë hendeqe sociale të padëshirueshme…
Këto lloj lajmesh, që përpiqen të bëjnë kurban emrin “musliman”, në një qytet si Shkodra, aq më tepër, kur ky emër vihet përballë një ceremonie të shumëpritur për një komunitet të krishterë, (përtej krejt alibive të tij si lajm, të vërtetave dhe të pavërtetave, prapaskenave, skenareve e rrjedhojave, për të cilat as që dua të flas e të merrem me to në këto rreshta, se nuk janë pjesë e punës dhe misionit tim), në këtë ditë, më ngjanë me dëshminë e Hafiz Musa Dërgutit, rahmet pastë…
Sot, fatkeqësisht, dikush u përpoq të bënte kurban të pistë, emrin “musliman” dhe SHPIRTIN e madh të harmonisë kombëtare dhe asaj të ndjesisë fetare në Shkodër!
Sot, dikush, u përpoq të luante nga vendi eshtra të vdekurish, ndjenja të gjallësh, mure të pashkatërrueshme godinash, që së bashku formojnë HARMONINË E SHENJTË KOMBËTARE tek ne shqiptarët!
…
Tashmë që nata ka mbuluar Shkodrën me pelerinën e saj të paqtë, kthej kokën pas dhe mendoj sesa e djallëzuar mund të paraqitet FJALA, sidomos kur vishet me rroba të vjetra, që mbajnë era myk!
All-llahumme ruaje Shkodrën, qytetarët e saj, vlerat, harmoninë, qytetarinë, sigurinë, paqen, mirëkuptimin, mirëqenien!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 5 nëntor 2016