U zhvillua konkursi i 7-të vjetor i kurseve fetare të Myftinisë Shkodër

Paraditën e së shtunës, më 29 prill 2017, në ambientet e xhamisë së Fushë Çelës, nisi konkursi i 7-të vjetor i kurseve fetare të xhamive të Shkodrës.

Aktiviteti, që mblodhi me qindra fëmijë frekuentues të kurseve sistematike të xhamive tona, nisi me leximin e një pjese kur’anire, që u pasua me fjalën e rastit nga përgjegjësi i arsimit në Myftininë e Shkodrës, teologu Arben Halluni.

Një mesazh prindëror plot lutje dhe bekime, dha edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili u lut për mbarësinë e fëmijëve të pranishëm dhe suksesin e tyre në rrugën e brumosjes me edukatën dhe botëkuptimin islam.

“E shihni rrethimin e kësaj xhamie dhe të krejt vakëfeve të shenjta në Shkodër? Fiksojini mirë! Ato janë mundi, gjaku, djersa dhe hallalli i paraardhësve tanë, që na lanë amanet shpirtin e bamirësisë dhe edukimin me frymën e besimit dhe fesë sonë të pastër islame.

Sot, ju jeni dëshmia më e mirë e shpirtit të besimit dhe fesë së pastër që ripërtërihet në zemrat e kësaj shoqërie, që lëngon pa masë!”-, tha ndër të tjera Myftiu!

Aktiviteti vijoi me konkursin e madh vjetor, si dhe lojrat e ndryshme sportive, që mbushën këtë ditë të dëshmuar me mirësi e paqe.