Ditën e xhuma, më 28 prill 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mbajti hytben e katërt radhazi në xhaminë e Plumbit.
Gjatë këtyre katër javëve, Myftiu u angazhua në ligjëratat e xhumasë nga minberi i xhamisë së Plumbit, duke sinjalizuar fillimin e një praktike të re të hytbeve të xhumasë, nëpërmjet cikleve disa javore nga njëra prej xhamive të Shkodrës.
Kjo praktikë do të vijojë edhe në xhami të tjera, sikurse do të përfshijë edhe imamët kryesorë të qytetit, të cilët, sipas një programi të caktuar do të angazhohen si pjesë e këtij projekti që ka për qëllim gjallërimin e xhamive dhe këmbimin e eksperiencave në mesin e hatibëve të xhamive tona.
Kjo nuk është hera e parë që Myftinia Shkodër zhvillon praktika të tilla të dobishme dhe të mirëpritura nga besimtarët, nëpërmjet të cilave mundësohet qarkullimi i imamëve dhe hatibëve, si dhe pasurimi i jetës fetare në xhami të ndryshme të qytetit dhe fshatit.