Myftiu, mesazh për mbrojtjen e vlerave të tabanit

Gjatë hytbes së xhumasë, më 6 prill 2018, nga minberi i xhamisë së Parrucës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ka ftuar besimtarët të jenë të vëmendshëm ndaj fenomeneve negative, që kanë për tendencë ta zhveshin individin dhe shoqërinë shqiptare nga vlerat e tabanit fetar e kombëtar.

Myftiu dha mesazhe të qarta kundër veseve dhe përpjekjeve për devijimin e kodit të familjes dhe legjitimimit të mëtejshëm të atyre që i quajti: “vepra të mbështetura nga shejtani”.

“All-llahu i Madhëruar i tërheq vëmendjen të dërguarit të Tij dhe mbarë njerëzimit, kur thotë: “Thuaj: “Zoti im i ndaloi të këqijat e turpshme, qofshin të hapta ose të fshehta, ndaloi gjynahun, ndaloi shtypjen e tjetrit pa të drejtë, ndaloi t'i mvishni All-llahut shok pa patur për të kurrfarë argumenti, dhe ndaloi të thoni për All-llahun atë që nuk e dini se është e vërtetë!”, sikurse dëshmon për besimtarët, se ata janë prej atyre, që: “që iu shmangën mëkateve të mëdha e të shëmtuara…”.

Po ndjekim prej dekadash me shqetësim të madh përhapjen në masë të alkoolit, duhanit, basteve, të quajturave “lojra të fatit”, kumarit dhe bixhozit, që po prish shumë familje, shthurjes morale, divorceve për shkak të dhunës në familje, tradhëtive bashkëshortore etj., përhapjes në masë të mbjelljes, kultivimit dhe shpërndarjes së bimëve narkotike dhe drogërave të ndryshme, që po kthehen në një gangrenë të dhunshme për shoqërinë shqiptare, për rininë në veçanti, si dhe viteve të fundit një tendencë e rrezikshme për devijimin e kodit të familjes dhe legjitimimit të veprimeve të ulëta, që kanë merituar mallkimet e All-llahut, përgjatë historisë, si martesa brenda së njëjtës gjini e fëlliqësi të ngjashme.

Nga pozita e Myftiut të Zonës Shkodër dhe në emër të Myftinisë Shkodër, ftoj të gjithë besimtarët muslimanë dhe bashkëqytetarët e mi, rininë e shtrenjtë në veçanti, të distancohen nga krejt sa përmenda më lart, sepse konsumimi i duhanit, alkoolit (me krejt llojet e tij), drogërave, bixhozi etj., janë shkaktar të dëmeve të pallogaritura morale, shëndetësore, ekonomike, sociale, por jo vetëm!

Njëkohësisht i drejtohem deputetëve të Shkodrës, pa dallime partiake a fetare, të ruajnë dinjitetin, krenarinë qytetare dhe vlerat e besimit në tubimet e komisioneve të ndryshme, kur bëhet fjalë për këto tema e të ngjashme.

Njëkohësisht, tërheq vëmendjen e krejt besimtarëve dhe bashkëqytetarëve të mi për të mos e humbur kohën, shëndetin dhe pasurinë e hallallit pas bixhozit, basteve, kazinove, sepse nuk është në natyrën e muslimanit dhe besimtarit frekuentimi i vendeve ku shkelet fjala e Zotit, ku dëmtohet familja, ku prishet morali, ku njeriu kthehet në skllav i shejtanit të mallkuar, epsheve dhe kapriçove, tekave dhe errësirës!”-, tha ndër të tjera Myftiu.