Myftiu priti një delegacion të krishterë nga Italia
Paraditën e të xhumasë, më 19 korrik 2024, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në xhaminë e Parrucës, një delegacion të krishterë nga Italia, nën drejtimin e mons. Giuseppe Mengoli, Ipeshkëv i Dioqezës së San Severos.
Gjatë takimit, Myftiu i Shkodrës dhe Ipeshkëvi i San Severos, bashkëbiseduan rreth vlerave të besimit e harmonisë në mesin e besimtarëve, sfidave të kohës dhe domosdoshmërisë së ruajtjes së ekuilibrave të harmonisë, që njeriu të jetojë me dinjitet, si krijesë fisnike.
Myftiu Sytari i njohu vizitorët e nderuar me parimet dhe shpirtin e fesë islame, tabanin e harmonisë në mesin e besimtarëve në trojet tona, rezistencën e përbashkët përballë sfidës së komunizmit dhe atë që pasoi, sidomos me hapjen e objekteve të kultit në vitin 1990.
Bashkëbisedimi vijoi me pyetje-përgjigje, ku u dëshmua fryma e lartë e komunikimit të qytetëruar në mesin drejtuesve fetarë, muslimanë e të krishterë.
U soll në vëmendje nevoja që njerëzimi ka sot për paqen dhe diatancimin nga tendencat e përçarjes, urrejtjes e dashakeqësisë, sidomos në mesin e besimtarëve.
Me një mesazh për mediat e pranishme, ky takim u mbyll me urime dhe lutje të përbashkëta, me shpresën e ritakimit.