Paraditën e së dielës, më 1 prill 2018, pas vizitës tradicionale në Arqipeshkvinë e Shkodrës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, pas urimeve drejtuar komunitetit katolik të Shkodrës, tha se komunitetet fetare punojnë dorë për dore në rrugën e ndërtimit të vlerave në shoqëri.
Myftiu tha se realitetet e sotme shqiptare nxisin më shumë bashkëpunim, në rrugën e ruajtjes dhe trashëgimit të tabanit kombëtar dhe mbrojtjes së familjes nga fenomene alarmuese, që po përhapen gjithandej, si: droga, bixhozi, alkooli, shthurja morale, mosrespektimi i familjes dhe i prindërve, injoranca, problemet në arsimim etj.
Njëkohësisht, ai tha se është e pandershme që faktorë të ndryshëm të imponohen në dëm të vlerave të familjes së shëndoshë shqiptare, në përhapjen e shthurjes, antivlerave dhe veprave që kanë merituar mallkimet e Zotit dhe dënimin e Tij përgjatë historisë.
Myftiu tha se kanceri nuk mund të jetë kurrë vlerë dhe se propagandat e investuara të kohëve të fundit, që po përpiqen ta zhveshin rininë nga morali dhe besimi, na angazhojnë për të shtuar bashkëpunimin në rrugën e ruajtjes dhe përhapjes së mëtejshme të vlerave tradicionale fetare dhe kombëtare.