U zhvillua konferenca e 9-të vjetore e imamëve me temë: “30 vjet sfida, sakrificë, besim”

Të shtunën, më 26 dhjetor 2020, në ambientet e xhamisë së “Dy Vajzave”, Myftinia Shkodër organizoi konferencën e 9-të vjetore të imamëve, teologëve dhe thirrësve islamë të Shkodrës.

Ndryshe nga vitet e kaluara, sivjet kjo konferencë u zhvillu me një numër të  kufizuar pjesëmarrësish për shkak të pandemisë globale, Covid-19.

Përveç imamëve, anëtarëve të këshillit të Myftinisë, përfaqësuesve të  këshillave të xhamive, mori pjesë  Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari si dhe Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, të cilët para të pranishmëve mbajtën nga një mesazh me vlerë e plot dobi me rastin e këtij jubileu të rihapjes së besimit në vendin tonë.

Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, ndër të tjera tha: “Sot, pasi po hedhim një hap të ri drejt vitit 2021, që është edhe fillimi i një dekade të re, përgjegjësi të shumta bien mbi ne, pikëpyetje të shumta duan përgjigje, pengesa e hendeqe të shumta shfaqen në horizont, porse me besim e mbështetje në Allahun e Madhëruar, dorë më dorë dhe në bashkëpunim të shëndetshëm e jo sakat me pjesën tjetër të ymetit, mbi të gjitha me mbështetjen e popullit tonë, patjetër që do të vazhdojmë me krenari të dëshmohemi të denjë për të vijuar rrugën e ndërtimit, dëshmimit si faktori kryesor i ruajtjes së ekuilibrave shoqëror, i konsolidimit të paqes sociale, i shërbimit ndaj tabanit fetar e kombëtar, shembulli i qytetëruar i përhapësit të vlerave fetare e morale, me sa të kemi forcë e deri në frymën e fundit!”

Më pas, konferenca u zhvillua në dy seanca.

Në seancën e parë u mbajtën këto referate:

“16 nëntori 1990, një datë e shënuar që shënjon drej të ardhmes, Arben Halluni, teolog, “Fikhu i prioriteteve dhe thirrja në shoqërinë tonë”, Durim Kasemi, imam i xhamisë Parrucë, “Xhemati dhe rëndësia e tij”, Idmir Plaku, imam i xhamisë “Ebu Bekër”, “Klasa e re e imamëve teologë dhe pritshmëritë”, Adem Pizga, imam i xhamisë Perash

Ndërsa, seanca e dytë kishte këto referate:

“Hapja e xhamive të reja, lehtësim për besimtarët”, Gilman Kazazi, imam i xhamisë “Ebu Bekër”, “Xhumaja dhe dispozitat e saj”, Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”, “Mesazhe me vlerë nga tribuna e gazetës Udha Islame”, Ervil Kuçi, imam i xhamisë Dërgut, “Udhëzime të rëndësishme për thirrësin islam”, Naim Drijaj, imam i xhamisë së Parrucës.

Vlen të përmendet, se punimet e referateve të  mbajtura do të botohen të plota në librin e përvitshëm të konferencës.

Ndërkohë, seanca e motrave teologe, për shkak të situatës pandemike, nuk u zhvillua, por punimet e tyre do të botohen së bashku me temat e referuesve të tjerë.