25 dhjetori i çdo viti është një datë e shënuar për botën e krishterë. Gjithandej, përgatitjet për mbërritjen e kësaj dite, ndezin sheshe e rrugë me zbukurime e shenja, që lidhen me atmosferën e kësaj dite.
Para ca ditësh po ndiqja një dokumentar mbi Sirinë dhe civilizimin, ndërthurjen e kulturave dhe bashkëjetesën e të ndryshmeve në diversitetin e larmishëm mbi atë tokë të bekuar.
Më erdhën ndër mend ditët e para të viteve të studimit në Damask, kur në xhami dëgjoje edhe ligjërime, ku fjalia: “Vëllezërit tanë nasara kanë festë!”, ishte normale dhe logjike. Sepse, ne jemi të ftuar të ndërtojmë ura, duke ruajtur ekuilibra, duke respektuar kufij e duke hapur zemrën në drejtim të njeriut, cilitdo njeri; të respektojmë e të respektohemi, duke rrugëtuar së bashku në ndërtimin e tokës e atdheut, njeriut dhe vlerave!
Kujtoj zbukurimet e lagjes së vjetër Bab Tuma, ku të krishterët damaskenë të jepnin selam e të thonin: “Allahu të ruajtë!”, duke të buzëqeshur, në rutinën e një komunikimi normal, në një shoqëri të qytetëruar e mbi të gjitha besimtare. Ishin zbukurime me shije e të pangarkuara, të ndjera e në kufijtë e logjikës së një festimi krejtësisht legjitim në realitetet e një bashkëjetese racionale, në një shoqëri, ku toleranca e shpirtit e forca e ndërgjegjësimit të kulturuar fetar ndërton njerëz e shoqëri me ekuilibër, jo fanatikë të verbër e tinzarë të pagdhendur, që duan të të imponohen dhunshëm, në shfaqjet e pamaskueshme dot të komplekseve të panevojshme, siç natyrshëm dëshmojmë përgjatë historisë e deri në ditët e sotme me shoqëri e grupime, që shpesh, në emër të fesë kanë bërë tregëti të pandershme me ndjenjat e besimin e shtresave të paformuara e të paarsimuara në shoqëritë njerëzore.
Kujtoj shumë mirë pjesëmarrjen në darkën e kortezisë së shtruar nga Patriarkana Orthodhokse e Lindjes, me rastin e vizitës së kryepeshkopit të Etiopisë në Siri. Ishte nëntori i vitit 2008, e mbaj mend mirë. Në atë atmosferë po takoja për herë të parë edhe dy personazhe të shquar të frymës së dialogut e harmonisë ndërfetare në Siri, kryepeshkopin orthodhoks të Lindjes dhe të mbarë botës, Agnatios IV Hezim, si dhe kryepeshkopin e orthodhoksëve sirianë Zeka Ivas, të cilët i kisha parë shumë herë në xhaminë e shkollës sime, kur vinin për të uruar Kryemyftiun e Sirisë, Shejkh Ahmed Keftaro, në pritjet tradicionale me rastin e bajrameve, aktiviteteve ndërfetare, a tribunave të shumta, ku hoxhallarë e priftërinj i shihje bri njëri-tjetrit, në një kornizë të pasforcuar e krejtësisht natyrale…
Sot, kur kthej kokën pas, dashurohem pambarimisht dhe bindem edhe më shumë në madhështinë e shfaqjes së Pejgamberit të njerëzimit dhe vulës së më të dashurve të Zotit, Hz. Muhammedit (a.s), me shfaqjen e të cilit, njerëzimi mësoi se tjetri respektohet, pritet e nderohet, komunikohet me të dhe dialogohet, ndërtohen ura e shtrëngohen duar, ndihmohet e tolerohet, mbështetet e përkrahet, duke dëshmuar shembujt më të mirë të vlerave të thirrjes hyjnore: “O ju Njerëz..!”, në sipërfaqen e Tokës, prej baltës së të cilës jemi krijuar e në dheun e saj do kthehen trupat tanë.
25 dhjetori i çdo viti… Sivjet, njëjtë si Ramazani që kaloi e Mevludi Sherifë, atmosfera e të cilit vazhdon të rrezatojë dritën e mësimeve të udhëzimeve të shtrenjta drejt ruajtjes së dinjitetit njerëzor, shpirtmadhësisë, drejtësisë, paqes, mbrojtjes së të drejtave të dhimmitëve në shoqëritë tona, por jo vetëm; edhe të krishterët e vendit tim janë të detyruar të përkufizohen me protokollet e këtij realiteti të imponuar dhunshëm e kësaj propagande sfilitëse për njerëzimin, me lutjet e secilit që Zoti ta ruajë njerëzimin nga çdo e keqe e njeriut pa besim e fé, që prodhon të keqen, që gjeneron komplote kundër racës së tij e, që mendon e beson se Zoti nuk sheh e nuk mund ta shuajë zjarrin e të keqes kundër jetës dhe ekuilibrave të saj mbi tokë!
Janë ditë të ngarkuara me stres e lodhje, me lajmërime vdekjesh e ndarje nga të dashurit, me padrejtësi e dhunë, me humbje ekuilibrash mendorë e shfaqje injorance të tejskajshme, edhe nga ata, prej të cilëve pritet shërbimi ndaj njerëzve e shoqërisë, jo arroganca e pakuptimtë, që natyrshëm nuk do vazhdojë përgjithmonë…
Janë ditë, kur njerëzit kanë të drejtë të marrin pak pushim nga krejt kjo zamallahi e rëndesë e sprovave të këtij viti, që mbi të gjitha na ftojnë për të reflektuar e besuar, për t’u kthyer tek origjina e për të dëbuar me krejt forcat të keqen dhe shthurjen ndër ne, për të formatuar krejt sistemin e të arsyetuarit e të udhëzuarit drejt Zotit dhe Thirrjes së Tij… Është koha për të “ba tobe”, siç na mësonin gjyshërit me tespihë në dorë..!
E, siç dëgjonim në xhamitë e Shamit Sherifë, në çdo fundvit: “Vëllezërit tanë nasara kanë festë!”, festë e gëzime pastë përherë në jetën e njeriut, që kërkon nëpërmjet besimit, lartësimin për të jetuar me dinjitet e për të dhuruar dashuri, për të ndërtuar me aftësi e për të mos devijuar për asgjë e për asnjeri, nga Drita e Zotit, nga Udhëzimi i Tij, nga rruga që shpie drejt trupëzimit me vullnet e krenari të thirrjes së shenjtë: “O ju njerëz, adhurojeni Zotin tuaj që ju krijoi…”.
25 dhjetori i çdo viti…
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, 25 dhjetor 2020