Që nga viti 2010 e deri më sot, kanë dalë në qarkullim 12 vëllime të vjetarit të Myftinisë Shkodër, “Buletin”.
Natyrshëm që idea e botimit të tij, u mirëprit nga kolegët e mi të afërt, H. Lavdrim Hamja, H. Arben Halluni, nga shkrimtari Xhahid Bushati, por edhe nga shumë miq e dashamirë, me të cilët e diskutoja si një mendim, që duhej trupëzuar dhe kthyer në traditë.
Isha i mendimit se një institucion serioz, si yni, duhet të kishte patjetër botime të përvitshme, si gazetën, “Buletinin”, libërthat udhëzues për xhematin, broshurat, botime të imamëve (që i kam nxitur dhe mbështetur pa rezervë), përmbledhjen e konferencave, fetvave, billborderat në hapësirat bri xhamive, etj.
Asokohe, ndokujt në Tiranë nuk i vinte mirë për këtë veprim (madje kam dëgjuar edhe për ndonjë “kritikë” pa kurajo për ta dëgjuar në sy), ndonëse sot, kur e kujtoj, më vjen të qesh për nivelin bajat të dikujt, që në vend që të qëndronte në shinat e veta dhe larg nesh, u investua të hynte në shinat e institucionit tonë, për të deformuar ecurinë e lokomotivës, që gjithsesi, nuk do të shkojë përherë shtrembër, përtej çdo investimi tinzar!?
Shyqyr Zotit, vit pas viti, “Buletin-i”, u kthye në një arkiv të heshtur përherë në rritje, gjithmonë transparent për këdo dhe për krejt të interesuarit për aktivitetin e Myftinisë Shkodër, risitë e punës tonë, takimet e shumta, pritjen e miqve, mesazhet e herëpashershme, vizitorët e huaj dhe ata vendas, konferencat e trajnimet e imamëve, qëndrimet dhe deklaratat e ndryshme për situata e ndodhi, fushatat e shumta bamirëse, ato të dhurimit të gjakut, emisionet televizive dhe radiofonike, bashkëpunimet me shoqata, fondacione, ambasada etj., ndërtimin e mbarë të xhamive në fshat e qytet, ngritjen e qendrave kulturore, aktivitetet e larmishme me rininë, gjallërinë e mejtepeve, por jo vetëm.
Vit pas viti, “Buletin”, mori pamjen e një enciklopedie të rrjedhshme të aktivitetit tonë në shërbim të vlerave islame, të bamirësisë dhe solidaritetit me çdo situatë e komunitet njerëzish në nevojë, integritetit dhe qëndrueshmërisë në rrugën e misionit tonë të shenjtë!
Sot, teksa del në dritë i 12-ti vëllim i kësaj pune të mrekullueshme, më duhet të falënderoj krejt personazhet e angazhuara për mbarëvajtjen e kësaj pune të madhe, mbi të gjitha imamët tanë për shërbimet dhe sakrificën e tyre, duke punuar në kushte jonormale dhe të pavlerësuar si e sa duhet, stafin e Myftinisë Shkodër, kryeredaktorin, H. Lavdrim Hamja dhe teologun Arben Halluni, për punën e palodhur e plot përkushtim.
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 31 janar 2023