U zhvillua edicioni i 11-të i konkursit të madh fetar me nxënësit e mejtepeve të zonave administrative Bushat dhe Gur i Zi
Ditën e enjte paradite, më 22 qershor 2023, në Qendrën Kulturore të xhamisë Barbullush, Myftinia Shkodër përmes sektorit të arsimit organizoi aktivitetin e edicionit të 11-të të konkursit të madh fetar me nxënësit e mejtepeve/kurseve fetare të xhamive të zonave administrative Bushat dhe Gur i Zi.
Aktiviteti që mblodhi nxënësit konkurrues të 10 xhamive: Barbullush, Bushat, Krye-Bushat, Shkjezë, Gur i Zi, Rragam, Kuç, Vukatanë, Mjedë, Ganjollë, së bashku edhe me nxënësit e tjerë si pjesëmarrës, filloi me fjalën e drejtuesit të arsimit, teologut Arben Halluni, i cili pasi i uroi mirëseardhjen nxënësve frekuentues sistematikë në mejtepet e xhamive, u foli për rëndësinë e këtij aktiviteti, që ka për qëllim të nxisë moshat e reja drejt mësimit të Kur’anit, njohurive bazë të besimit si dhe të ofrojë dhe bashkojë nxënësit në shtëpitë e Zotit, si vendet më të sigurta dhe garantuese për një shoqëri besimtare, të moralshme dhe të paqtë me të gjithë.
Aktiviteti i konkursit të madh fetar u shoqërua me veprimtari sportive e zbavitëse si dhe lojëra animatore në ambientet e jashtme të xhamisë Barbullush.
Pas përfundimit të konkurrimit, u zhvillua ceremonia e shpalljes së fituesve, ku juria e përbërë nga H. Naim Drijaj dhe H. Lavdrim Hamja dhe hafizi Bajram Hoxha nga Turkia, në bazë të pikëve të marra nga secili nxënës konkurrues, vendosën:
– Në konkursin e Kur’anit, xhuzi Amme: Çmimi i parë iu dha nxënësit të xhamisë Ganjollë, Erigers Tahiri.
– Në konkursin e Leximit të Kur’anit dhe Ilmihal: Çmimi i parë iu dha nxënëses së xhamisë Mjedë, Albana Bylbyli, çmimi i dytë, nxënëses të xhamisë Barbullush, Rejana Molla dhe çmimi i tretë, nxënësit të xhamisë Bushat, Nihad Pervizi.
– Në konkursin e këndimit më të bukur të ezanit: Çmimi i parë iu dha nxënësit të xhamisë Bushat, Elsaid Abazi.
Në ditët në vijim, olimpiada e Konkursit të Madh Fetar do të organizohet edhe me zona të tjera të xhamive të Shkodrës.