110 haxhilerë nga Shkodra u nisën për të kryer Haxhin e sivjetshëm…
Mëngjesin e sotëm, e martë, më 20 qershor 2023, nga oborri i xhamisë së Parrucës u bë përcjellja e haxhilerëve shkodranë të këtij viti për në vendet e Shenjta, në Mekë dhe Medinë, të cilët do të bashkohen në Mekë me grupin e haxhilerëve të tjerë shqiptarë, e më pas të gjithë së bashku do të vazhdojnë ritet përkatëse për të kryer kushtin e pestë të fesë islame, obligimin e Haxhit.
Grupi i haxhilerëve të sivjetshëm shkodranë përbëhet nga 110 persona, burra e gra, të cilët u përcollën nga familjarët e tyre, të afërm, nga besimtarë të shumtë si dhe nga përfaqësues të Myftinisë Shkodër.
Në këtë atmosferë vëllazërore, në mesin e besimtarëve të shumtë, familjarëve dhe të afërme, të cilët kishin dalë për të përcjellë e për të përshëndetur vëllezërit dhe motrat e tyre haxhilerë, u bë nisja për në vendin më të mirë dhe më të bekuar të botës, Meka e bekuar dhe Medineja e Ndriçuar.
Në mesazhin e tij, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, u shpreh: “Përherë them, se emocioni i përcjelljes së haxhilerëve është më i bukuri i krejt emocioneve dhe aktiviteteve të shumta, që ne kemi gjatë vitit. Përcjellja e haxhilerëve, siç e shihni, krijon një atmosferë jashtëzakonisht të begatë, ku njerëz të shumtë, të ardhur nga zona të ndryshme të qytetit, janë mbledhur para xhamisë së Parrucës dhe me emocionet e tyre e me përshpirtjet e tyre i urojnë rrugë të mbarë haxhilerëve.
Ata shkojnë drejt vendeve të bekuara, për të adhuruar Zotin e tyre, për të lartësuar mesazhet dhe thirrjet e zemrës, aty përpara Qabes së Madhërueshme, nesër te Pejgamberi (a.s); si të thuash, në një mënyrë a në një tjetër, bashkohen të gjitha elementet dhe detajet më të bukura, të fesë dhe fetarizmit, dhe shkrihen në këtë moment dhe në këtë ceremoni madhështore, ku njerëzit nga anë e mbanë botës, bashkohen me rroba të bardha për të madhëruar Zotin Një.
Natyrshëm, si ceremonia e përcjelljes së haxhilerëve, si tubimi i tyre në vendin e shenjtë, është patjetër një gjallërim i madh për zemrat tona dhe për vetëdijen tonë islame, është simbol i unitetit dhe i harmonisë në mesin e muslimanëve.
Numri i madh i haxhilerëve të këtij viti, nuk është asgjë tjetër, veçse thirrja e shpirtit, thirrja e zemrës dhe besimi në zemrat e muslimanëve të këtij vendi, që përtej shtypjes, përtej presionit, përtej pengesave, përtej vështirësive edhe ekonomike, e gjejnë aty kënaqësinë e adhurimit dhe gjejnë forcën për ta dëshmuar përkatësinë e tyre dhe identitetin e tyre islam, edhe nëpërmjet kryerjes së këtij rituali shumë të rëndësishëm, edhe shumë të shtrenjtë, por që besimi është më i shtrenjtë se çdo pasuri tjetër në jetë.
Mesazhi më i mirë, sidomos sot, në mesin e këtyre besimtarëve është, që njerëzit ta ruajnë tabanin e tyre, mos të devijojnë nga tabani i tyre për asnjë arsye në botë! Mesazhi më i mirë sot është me kuptuar, se ky Islam, edhe kjo dritë nuk shuhen asnjëherë përtej çdo përpjekjeje dhe përtej çdo agjenteje, dhe se kjo është feja e Allahut, e feja e Allahut do të ecë përpara, me apo pa dëshirën tonë, me apo pa përkrahjen tonë, dhe i lumi ai, pastaj i lumi ai, që kapet fort pas tabanit të të parëve, e ruan shpirtin e baballarëve dhe gjyshërve, e trashëgon atë dhe ia mëkon edhe fëmijëve të tij, dhe ecë përpara me këtë dritë, për të parë se e sotmja dhe e ardhmja, me këtë dritë, janë bekim nga Zoti dhe përgjegjësi për të përhapur dritën e Tij, kudo që jemi dhe me këdo që jemi!”
Myftinia Shkodër uron: Haxh dhe lutje të pranuara për të gjithë haxhilerët, shkodranë, shqiptarë dhe të mbarë botës islame!
Mesazhi i plotë i Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari: