Paraditën e së martës, më 1 nëntor 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar edhe nga një pjesë e stafit të Myftinisë Shkodër, zhvilloi një inspektim në terrern për të parë nga afër dy prona të shenjta vakëf në lagjen e vjetër të Tabakut, Qafë.
Fillimisht, Myftiu pa nga afër vakëfin e Tabakut, ku ndodhet edhe gjurma shekullore e xhamisë së vjetër. Pavarësisht kërkesave të shpeshta dhe komunikimeve me Bashkinë dhe gjyqet e shumta, akoma rruga drejt vakëfit të Tabakut ngelet e bllokuar si pasojë e ndërtimeve private.
Poashtu, u konstatua se mbi kanalin shkarkues të ujrave që mblidhen te xhamia e Plumbit, janë hedhur inerte të pakontrolluara, duke shkaktuar bllokimin e tij.
Edhe për këtë fakt, janë bërë komunikimet e duhura me Bashkinë dhe pritet, që ky institucion të ndërhyjë sa nuk është tepër vonë.
Myftiu inspektoi edhe punimet për rrethimin e vakëfit të varrezave të Qafës, mbi kodrën e xhamisë së Plumbit, një pronë shumë e rëndësishme për komunitetin e muslimanëve të Shkodrës.
Duke parë mos përgjigjen e shtetit, gjykatave, Bashkisë etj, në kërkesat legjitime të institucionit tonë, këto ditë Myftinia Shkodër po ndërmerr masa për pastrimin dhe lirimin me krejt mundësitë e saj të vakëfeve të shenjta të nëpërkëmbura nga institucionet e vendit tonë!
Myftinia Shkodër fton besimtarët të marrin pjesë në thirrjet e saj, si dhe fton qytetarët të mirëkuptojnë këtë lëvizje të Myftinisë Shkodër.