Shfaqje nuranite, në një Muaj Bese!

- përshtypje dhe mbresa -

Shfaqje nuranite, në një Muaj Bese!

Shfaqje nuranite, në një Muaj Bese!
– përshtypje dhe mbresa –

Mbrëmë, teksa fluturoja, në kthim për në tokën time, ende kisha të gjalla në mendime, momentet e paharruara në mesin e besimtarëve në Xhamia Biel-Bienne, në Xhamia Mesxhidi-nur Frauenfeld dhe në Xhamia Flawil – AKF, gjatë aktiviteteve të datave 22-24 mars 2024.

Është e papërshkrueshme atmosfera e begatë që Krijuesi ynë përhap ndër ne, si një balsam shërues, në këtë Muaj të Dritës, Besimit e Harmonisë islame në mes nesh!

Më gëzon pa masë fakti se, kudo ku shqiptarët muslimanë shpërngulen larg vendlindjes së tyre, aty marrin me vete edhe shpirtin e tabanit, që nuk e tradhtojnë, as ia kthejnë shpinën për asgjë! Është i mrekullueshëm ky fakt!

Xhamitë e reja të nisura nga e para, që veç se shtohen dita-ditës, duke bërë bashkë në kulm të tyre flamurin shqiptar dhe atë të vendit që i ka mirëpritur, janë shenja dalluese e besimtarëve shqiptarë, që para dyerve të qendrave të tyre islame, të hapin dyert e zemrave, duke të uruar mirëseardhjen, duke të trajtuar si zot shtëpie e duke të përcjellur me bujari e nder!

Brezi i vjetër, dallon për urtësinë e qetësinë e moshës së thyer, kapuçin a plisin e bardhë mbi kokë, parfumin e pastërtisë së moshës, tespihët në dorë e lutjen bekuese në fytyrën e qeshur, të stolisur me nurin e imanit!

Pastaj, janë djemtë e tyre, që bashkë me nipa e mbesa, dëshmojnë në heshtje, se nuk e kanë prishur besën e baballarëve e, as kanë ndër mend të ndërrojnë kurs në dinamikën e jetës së tyre, larg në mërgatë!

I bashkon gjuha, dialektet, pasuria e shpirtit e shpirti i besimit e fesë, që e trashëgojnë me bindje e përkushtim nga shekujt e shkuar, si besnikë të pathyer!

Ishte bërë koha e iftarit, kur, teksa vështroja Hanën dritëplotë, në më të bukurën shfaqje të saj, sillja në hatër, iftaret e ligjëratat, lutjet e këshillat e këtyre tre ditëve, sa një pafundësi frymërash mëshironjëse, që të tërheqin në një rehati shpirti, ku as lodhja fizike, as pagjumësia, as prishja e rendit të rutinës, nuk arrijnë të ndërhyjnë për të prishur sadopak këtë Shfaqje nuranite të begative hyjnore të Mubarekut Ramazan…

Xhamitë e mbushura, rendi dhe qetësia, ruajtja e traditës dhe tabanit shekullor në organizimin dhe kryerjen e riteve fetare; namazit, dhikreve, agjërimit, iftarit, lutjes, por jo vetëm, janë detaje që nuk mund të anashkalohen, përtej dinamikës së aktivitetit, shumësisë së fytyrave të qeshura që të shfaqen para duarve, duke të buzëqeshur me fjalëkalimin e takimit në gojë: “Allahu kabull!”, dëshirës për një foto kujtimi, një pyetjeje në privat, por jo vetëm!

Është mahnitëse, mënyra e organizimit, që gjen në këto xhami (jo vetëm në qendrat e lartpërmendura!), ku çdo gjë qëndron në vendin e duhur, ku gjithkush duket se e di mirë kufirin e tij, ku secili merr pjesë të ketë një rol, sado episodik, në kontekstet e ruajtjes së imazhit dhe frymës së Xhamisë; vendit ku të gjithë takohen, djepin ku edukohen fëmijët e, cakut të bekuar, që i barazon të gjithë në rrugëtimin drejt Paqes së garantuar e Mëshirës gjithëpërfshirëse!

Teksa afroheshim me tokën tonë, vende-vende ndjeheshin turbulenca, sikurse nga dritarja e ulëses time, dalloheshin jo pak herë shenjat e stuhive e vetëtimave në hapësirat e hirta, që edhe pse më shkëpusnin për pak vijën e mendimit, nuk e preknin dot lidhjen me bukurinë dhe madhështinë e Hanës 15-she, që qëndronte fare lart; sa larg, aq afër; krejt si imazhi i organizimit, shembullit dhe përshpirtjes së takimeve dhe tubimeve të shtrenjta në mesin e vëllezërve të mi, larg Shkodrës…

U ktheva me një mal kujtime, me shumë miq të ri e përjetime të paharruara e, mbi të gjitha, me një mirënjohje dhe respekt të padiskutueshëm, që veçse rritet, në raport me shembullin e tyre fisnik e besnik udhëtim pas udhëtimi e takim pas takimi.

Mirënjohje, me lutje e bekime zemre!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, 26 mars 2024