Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, i Cili na tërheq vëmendjen nëpërmjet Kur’anit Famëlartë drejt madhështisë së shfaqjes dhe dërgesës së Hz. Muhammedit (a.s), kur thotë: “Mëshira Ime ka përfshirë secilin send. Atë (Mëshirën) do ta caktoj për ata të cilët u ruhen (gjynaheve), e japin zekatin dhe për ata që i besojnë argumentet tona. (157) Të cilët e pasojnë të dërguarin (Muhammedin), profetin analfabet, (që nuk shkruan as nuk lexon), të cilin e gjejnë të cilësuar (të përshkruar me virtytet e tij), në Teurat dhe në Inxhil, që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet, dhe heq nga ata barrën e rëndë të tyre dhe prangat që ishin mbi ta. Pra, ata të cilët e besojnë atë, e nderojnë dhe e ndihmojnë, veprojnë me dritën që u zbrit me të, TË TILLËT JANË TË SHPËTUARIT!” – (El-A’rafë: 156-157.)
Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot, në këtë ditë e në çdo ditë të jetës sonë, Ma të Mirit e Ma të Shtrenjtit, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), të cilin e pyetën: “O i Dërguar i All-llahut, çfarë thua për një njeri, që e do një popull dhe nuk mund të jetë pranë tyre?” Ai, me mirësinë e tij, ia ktheu: “Njeriu do të jetë me atë që do!” – (Bukhariu dhe Muslimi, nga Ibni Mesudi (r.a).)
Të dashur e të nderuar, motra dhe vëllezër besimtarë,
Në Kur’anin Famëlartë, janë dy ajete, që në harmoni të plotë me njëri-tjetrin, na ftojnë të meditojmë e të reflektojmë rreth mirësisë së madhe të udhëzimit në Islam, ndjekjes dhe pasimit të Hz. Muhammedit (a.s) në jetë, ripërtëritjen e atmosferës së gëzimit, sa herë kujtohet emri dhe shembulli i tij (a.s).
Janë dy ajete, që në vetvete, trupëzojnë më së miri madhështinë e shfaqjes së Hz. Muhammedit (a.s) në jetë, tiparet e tij dhe, mbi të gjitha, dëshmojnë se dërgesa e tij është dhunti prej dhuntive të All-llahut (xh.sh) për besimtarët dhe njerëzinë, mbarë.
Në ajetin e parë, urdhëron dhe thotë: “Është e vërtetë se All-llahu u bëri dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi një të dërguar, që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe urtësinë (sheriatin), edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur” – (Ali Imran: 164.)
Në tefsirin e këtij ajeti, Imam Kurtubi, ndër të tjera, specifikon se: “Nëpërmjet këtij ajeti, All-llahu sqaron madhështinë e dhuntisë së Tij ndaj tyre, me dërgesën e Hz. Muhammedit (a.s)” – (Imam Kurtubiu, “El-xhamiu li ahkamil-Kur’an”, botimi i dytë, Kajro, 1966, vëll. i katërt, f. 274.)
Po të ndalemi fare pak tek ky ajet, duke i bërë një lexim të shpejtë, do të kuptojmë krejt mirë se, nuk ka dhunti më të madhe për ndonjë popull në botë, sesa ajo që i është dhënë botës, nga momenti i lindjes dhe dërgesës profetike të Hz. Muhammedit (a.s)!
Nuk ka të krahasuar me asnjë dhunti tjetër! Ndërkohë, të gjithë ne jemi të ftuar ta pyesim veten se ku qëndrojmë në raport me elementët përbërës të këtij ajeti: leximi i duhur i Librit (Kur’anit), pastrimi i nefsit dhe edukimi i tij, mësimi i Kur’anit?
Sepse, po të vërejmë e të lexojmë me vëmendje historinë 23 vjeçare të misionit të Hz. Muhammedit (a.s), do të kuptojmë se, qëllimi kryesor i tij ishte reformimi i qenies njerëzore, pastrimi i saj nga injoranca, shirku, idhujtaria, mendjemadhështia, gënjeshtra, korrupsioni, egoizimi i sëmurë, ambicia vrastare, smira, urrejtja, luftrat e panevojshme dhe aspak të justifikueshme, imoraliteti, ryshfeti, bixhozi, konsumimi i pijeve alkoolike, mungesa e ekuilibrave në marrëdhëniet sociale, ato familjare, ato burrë-grua etj.
Me pak fjalë, gjetja e NJERIUT, krijesës më të përsosur të All-llahut, mëkëmbësit të Tij në tokë, si dhe lartësimi i tij nëpërmjet edukimit të nefsit dhe veshjes me vlerat më të larta të moralit kur’anor, shembullit muhammedan, tipareve të njeriut-“rob i Mëshiruesit”, për të cilët thotë në Kur’an: “E robërit e Mëshiruesit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: “Paqe!” – Dhe që për hir të Zotit të tyre natën e kalojnë duke i bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë (falen) – Edhe ata që thonë: “Zoti ynë, largoje prej nesh vuajtjen e xhehennemit, e s’ka dyshim se vuajtja në të është gjëja më e rëndë” – Ai, vërtet është vendqëndrim dhe vendbanim i keq – Edhe ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur – Edhe ata që pos All-llahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar All-llahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin – Atij i dyfishohet dënimi ditën e kijametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë – Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve All-llahu të këqijat ua shndërron në të mira. All-llahu është mëshirues, ndaj Ai falë shumë – Ai që është penduar dhe ka bërë mirë, në të vërtetë, ai është kthyer tek All-llahu dhe është i pranishëm – Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë të keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet – Edhe ata që kur këshillohen me ajetet e Kur’anit të Zotit të tyre, nuk u kthejnë shpinën si të shurdhët e të verbër – Edhe ata që thonë: “Zoti ynë, na bën që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bën shembull për të devotshmit”…” – (El-Furkan: 63-74.)
Dhe, të të bëjë All-llahu, shembull dhe imam i të devotshëmve, do të thotë të jesh ajka e elitave të shoqërisë ku ti jeton; në besim, në përkushtim, në moral, në dije, në zgjuarsi, në inteligjencë, në prodhimtari, në arritje, në shpikje, në pasuri, në forcë, në pushtet, në drejtim etj.!
Njeriu i sotëm është i ligësht, pa imunitet! Bota sot, përpëlitet në dekadencë të theksuar, vrasje e barbarizma, luftra të pajustifikueshme e padrejtësi të frikshme, që njeriu ia bën vetes dhe vëllasë së tij njeri.
Për këtë, nuk është e habitshme ajo që shkruante para dy ditësh mendimtari i shquar saudit, Dr. Selman El-Audeh, kur thoshte: “Kam nevojë për shumë qese plehrash, të mbledh deklaratat e organizatave ndërkombëtare në lidhje me vuajtjet e muslimanëve dhe vdekjen e tyre!”
Sepse Njeriu i kësaj kohe, ai pa Zot e besim, ka dështuar, ka rënë në greminë, ka humbur!
Zgjidhja është te kthimi nga Islami, nga mësimet e Hz. Muhammedit (a.s), ndërtuesit të Njeriut dhe imunizuesit të tij me moralin e besimit, dashnisë së Zotit e frikës së Tij, ndërtimit të jetës, përpahjes dhe mbrojtjes së Paqes edhe me jetë!
Për këtë lloj NJERIU, punoi dhe shpenzoi jetën, mundin, vuajtjet, shpresat dhe optimizimin e tij, Hz. Muhammedi (a.s)!
– vijon të xhumanë e ardhshme, inshallah –
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 2 dhjetor 2016
(Hytbeja e mbajtur sot, në xhaminë “Ebu Bekër”, në Fushë Çelë)