KMSh vlerëson kontributin e imamit të nderuar, H. Fejzi Zaganjori

KMSh vlerëson kontributin e imamit të nderuar, H. Fejzi Zaganjori

KMSh vlerëson kontributin e imamit të nderuar, H. Fejzi Zaganjori

Ditën e mërkurë, më 3 dhjetor 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari i shoqëruar nga një pjesë e stafit të tij, zhvilloi një vizitë në shtëpinë e imamit të nderuar, rahmetliut H. Fejzi Zaganjori.

Shkak i kësaj vizite ishte nderimi që Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i bëri ditëve të fundit kontributeve të vyera imamit të xhamisë së lagjes Rus, H. Fejzi Zaganjori, pas vdekjes.

Gjatë këtij takimi Myftiu i Shkodrës falënderoi mikpritjen e familjarëve të H. Fejzi Zaganjorit, si dhe u lut bashkërisht me të pranishmit për shpitin e tij duke theksuar se kontributet e tij përgjatë dekadave të rimëkëmbjes së aktivitetit të Myftinisë Shkodër kanë qenë të shumta dhe në fusha të ndryshme.

Ai theksoi se gjurmët e H. Fejzi Zaganjorit janë të shumta, jo vetëm në qytetin e Shkodrës, por në mbarë zonën e veriut dhe përtej, ku nëpërmjet angazhimeve të ndryshme që janë kërkuar prej zotërisë së tij nga Myftinia Shkodër, por edhe nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, ai ka qenë gjithmonë i gatshëm për të shërbyer ku ishte nevoja.

Myftiu i Shkodrës i ka dorëzuar familjarëve të rahmetliut edhe nderimin që Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i ka bërë angazhimeve dhe shërbimeve të tij pas vdekjes. Myftiu lexoi Certifikatën e Vlerësimit nënshkruar nga Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu.

Në përmbajtjen e këtij vlerësimi ndër të tjera theksohet: “Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e çmuar të dhënë në shërbim të fesë dhe komunitetit, si imam i përkushtuar i xhamisë së Rusit në Myftininë e Shkodrës, si dhe për përkushtimin e treguar gjatë gjithë jetës si veprimtar i devotshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, në ruajtjen dhe forcimin e harmonisë ndërfetare dhe vlerave shpirtërore.”