Program festiv në pritje të Kurban Bajramit në xhaminë e Bardhajve
Pasditën e së enjtes, më 13 qershor 2024, lulishtja e xhamisë së fshatit Bardhaj ishte zbukuruar me gjallërinë dhe fytyrat e qeshura të fëmijëve, që frekuentojnë mejtepin e xhamisë, të rreshtuar për të dhënë një shfaqje plot bekim e dritë, para prindërve, besimtarëve e të ftuarve në programin artistik, në prag të Kurban Bajramit të sivjetshëm.
Falë punës dhe përkushtimit të imamit të kësaj xhamie, H. Ilir Dizdari, çdo detaj i këtij programi qëndronte në vendin e vet, si një mozaik i bekuar, që dëshmon vlera dhe dritë besimi.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, i cili iu drejtua të pranishmëve me një mesazh urimi dhe me lutjet më të mira për begati, mirëqenie, paqe e harmoni në mesin e besimtarëve dhe njerëzve mbarë.
Ilahitë e kënduara me plot pasion nga teologu Alban Kali, ia shtuan emocionet dhe bukurinë këtij programi të pasur me recitime, mesazhe e urime të përzemërta.
Myftinia Shkodër shpreh mirënjohje dhe falënderime për imamin e xhamisë Bardhaj, fëmijët pjesëmarrës në program dhe këdo që kontribuoi për mbarësinë dhe suksesin e tij!