Tekbiret dhe lutjet e Kurban Bajramit mbulojnë Shkodrën me paqe e dritë!
Ditën e diel, më 16 qershor 2024, në sheshin Fushë Çelë, bri xhamisë së madhe, “Ebu Bekër”, u zhvillua ceremonia e faljes së Kurban Bajramit, më pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve të qytetit të Shkodrës.
Pas faljes së namazit të sabahut, nën drejtimin e H. Ensar Ismajlaj, filloi edhe programi i ceremonisë së kësaj feste të begatë me ligjërimet plot vlerë dhe dobi, të mbajtura nga: H. Ensar Ismajlaj, imam i xhamisë së Dërgutit, H. Naim Drijaj, imam i xhamisë së Parrucës, Imam Didmar Faja, Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar të Arizonës dhe Imam i United Islamic Center of Arizona – ShBA, si dhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari.
Në ligjërimet e tyre, ata hodhën dritë për simbolikën, mesazhet dhe mësimet, që mbart dita e madhe e Kurban Bajramit, ashtu siç folën edhe për vlerat e familjes, respektin ndaj prindërve, edukimin e fëmijëve, etj.
Ndërsa, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, në fjalën e tij u ndal te rëndësia e ruajtjes së tabanit të vlerave të familjes, mbrojtjes së saj nga sprovat e devijimit, shthurjes, thirrjeve për prishjen e familjes, etj.
Myftiu u shpreh, se: “Në një shoqëri, si shoqëria shqiptare, që është mëkuar dhe edukuar në duart e prijësve fetarë, në duart e atyre që e kanë pasur frikë Zotin dhe e kanë dashur njëri-tjetrin, muslimanë dhe të krishterë, në një vend si ky, që e ka bekuar Zoti i gjithësisë me mirësi të panumërta, të vijë një ditë, që në vendin më të lartë dhe në foltoret më të larta të kombit të flitet e të diskutohet për projektligje që shkatërrojnë familjen, që prishin të ardhmen e shoqërisë, që lejojnë dhe hapin rrugën drejt disa modeleve dekadente për të cilat Kur’ani Famëlartë na tregon, se kanë merituar ndëshkimet më të frikshme nga Zoti i gjithësisë shekuj e shekuj më përpara – Zot na fal dhe na udhëzo; o Allah udhëzoji të parët e këtij vendi, o Allah udhëzoji ata, që janë përzgjedhur nga ky popull për të drejtuar për të mirën e tij, o Allah udhëzoji për të mbajtur amanetin dhe për të dalë me faqe të bardhë”.
Ceremoni e faljes së Kurban Bajramit pati një jehonë të madhe në mediat lokale dhe kombëtare, duke e transmetuar direkt faljen, por edhe duke i bërë jehonë fjalës së Myftiut të Shkodrës, i cili vuri theksin fort te mbrojta e familjes dhe ruajtja e vlerave fetare dhe kombëtare.
Ky manifestim madhështor u mbyll me urimet dhe lutjet e festës së Kurban Bajramit në mesin e besimtarëve.
Kliko këtu për ta ndjekur të plotë ceremoninë e Kurban Bajramit