Haxhilerët e Shkodrës nisen drejt Vendeve të Shenjta
Ditën e diel, më 9 qershor 2024, pas faljes së namazit të akshamit në xhaminë e Parrucës, u zhvillua ceremonia tradicionale e përcjelljes së haxhilerëve të Shkodrës për vitin 1445|2024, të cilët i drejtohen Vendeve të Shenjta për kryerjen e Haxhit të këtij viti.
Siç është bërë traditë e lashtë në Shkodër, qytetarë të shumtë, drejtues të Myftinisë Shkodër, imamllarë, familjarë, miq e dashamirë kishin dalë për të përcjellë haxhilerët e Shkodrës.
Në shoqërinë e tekbireve nga minaret e xhamisë së Parrucës, lotëve të gëzimit dhe emocioneve të shumta, haxhilerët u përshëndetën me të pranishmit për t’u nisur drejt aeroportit të Rinasit, prej ku do të fluturojnë direkt për Xhidah të Arabisë Saudite.
I pranishëm në përcjelljen e haxhilerëve të Shkodrës ishte edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili dha edhe një mesazh për mediat e pranishme, ku ndër të tjera theksoi se, gëzimi i përcjelljes së haxhilerëve është emocion i veçantë dhe një bekim i madh për Shkodrën dhe mbarë kombin. Ai tha, se mijëra shqiptarë nga trojet tona i bashkohen miliona haxhilerëve nga mbarë globi në adhurime dhe lutje për paqen, mirëqenien dhe begatinë në mesin e popujve.
Ndërkohë, në prag të nisjes nga aeroporti i Rinasit, Myftiu Sytari, iu drejtuar haxhilerëve të Shkodrës me një këshillë dhe lutje për Haxh të pranuar. Ai kërkoi nga haxhilerët tanë, të mos e harrojnë Shkodrën në lutjet e tyre.
Myftinia Shkodër uron rrugë të mbarë dhe Haxh të pranuar për haxhilerët tanë të dashur.