Atmosferë e begatë xhumaje dhe takim me nxënësit e mejtepit të xhamisë Omaraj
Ditën e xhuma, më 23 gusht 2024, teologu Arben Halluni, përgjegjës i arsimit pranë Myftinisë Shkodër, drejtoi ritet e xhumasë në xhaminë Omaraj, që ndodhet në një zonë të thellë të Njësisë Administrative Postribë.
Teologu Halluni gjatë mesazhit të hytbes së xhumasë u ndal te rëndësia dhe ruajtja e familjes sipas traditës islame, që është një aspekt themelor i jetës shoqërore dhe morale. Ai bërë thirrje që familja të konsolidohet më shumë se kurrë si bërthamë e vërtetë e shoqërisë dhe të mos lejohet në asnjë situatë që të tjetërsohet apo të venitet përmes shpopullimit dhe braktisjes së vendit, për të cilën jemi të ngarkuar nga Zoti Madhniplotë ta ruajmë dhe ta zhvillojmë sipas kodeve të natyrshme dhe hyjnore.
Në vijim, pas faljes së xhumasë, drejtuesi i arsimit zhvilloi një takim me nxënësit e mejtepit të xhamisë Omaraj, që zhvillohet nën kujdesin e imamit të përkushtuar, H. Fatmir Bushaj.
Në fillim, teologu Halluni zhvilloi një bisedë, duke u përqendruar në rëndësinë dhe vlerën që ka organizimi i mejtepeve fetare pranë xhamive dhe për misionin që ato mbartin si përçimin te brezi i ri mësimet e vërteta fetare, edukatën islame që duhet të ketë çdo besimtar dhe frymën e mirë paqësore që duhet të karakterizojë çdo njeri në marrëdhëniet me të gjithë njerëzit dhe krijesat e Zotit.
Më pas, drejtuesi i arsimit evidentoi ecurinë mësimore të nxënësve, pjesëmarrjen e tyre, procesin mësimor, etj.
Takimi dhe vizita në Omaraj u mbyll me pyetje-përgjigje, bisedë me xhematin për mbarëvajtjen e jetës fetare në këtë zonë dhe me një koktejl të organizuar enkas për nxënësit e mejtepit.