Promovohet libri: “Hadithi: trashëgimia e Profetit Muhamed” i studiuesit Dr. Jonathan Ac Brown
Ditën e diel, më 18 gusht 2024, Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Qendrën “Minber” dhe Konak Institute organizoi aktivitetin me temë: “Qasje bashkëkohore ndaj traditës profetike”.
Ky aktivitet, në qendër të së cilit ishte promovimi i librit: “Hadithi: trashëgimia e Profetit Muhamed”, me autor studiuesin e mirënjohur amerikan, Dr. Jonathan Ac Brown, i përkthyer nga studiuesi Rezart Beka, mblodhi një grup imamësh, teologësh dhe thirrësish islamë, që ndoqën me shumë kënaqësi e vëmendje ligjërimin e autorit.
Aktiviteti pati në qendër diskutimin e autorit të librit, studiuesit Dr. Jonathan Ac Brown, i cili vjen për herë të parë në Shqipëri, falë kontributit të Konak Istitute dhe studiuesit Besnik Sinani.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Dr. Ferid Piku, drejtor i Qendrës Studimore “Minber”, që u bë shkak për këtë aktivitet elitar.
Në emër të Myftinisë Shkodër, aktivitetin e drejtoi dhe e përshëndeti teologu Ervil Kuçi, përgjegjës i sektorit të rinisë, pranë Myftinisë Shkodër.
Në fund të takimit për të pranishmit, autori pati kënaqësinë të dhurojë librin e tij, së bashku me autografin dhe përshëndetjet e rastit.