5 imamë e teologë nga Shkodra, pjesë e trajnimit të UBDM në Stamboll
Nga data 26-31 gusht 2024, në Stamboll u zhvillua një trajnim shkencor me pjesëmarrjen e disa imamëve nga Ballkani, organizuar nga Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë me seli në Doha të Katarit në bashkëpunim me institucionin e Dijetarëve Muslimanë të Turqisë (UMAD).
Ky trajnim me promotor dhe organizator prof. dr. Hajredin Hoxha, mblodhi rreth 40 imamë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriu, Mali i Zi dhe Presheva.
Nga Myftinia e Shkodrës ishin përzgjedhur H. Arben Halluni, H. Lavdrim Hamja, H. Durim Kasemi, H. Sadri Ujka dhe H. Ademir Xama.
Në programin e trajnimit u prezantuan objektivat dhe synimet që ka Unioni Botëror i Dijetarëve Myslimanë, ruajtja e frymës institucionale dhe respektimi i udhëheqësit fetar, bashkëjetesa dhe paqja sociale si dhe shumë tema të jetës bashkëkohore.
Kryetari i Unionit Botëror të Dijetarëve Myslimanë, prof. dr. Ali Karadagi, mbajti ligjëratën rreth konceptit të veçantë që ka ndërtuar me dekada jurisprudenca ekuilibruese (Fikhu El Mizan), e për të cilën tha se ka qenë tejet e nevojshme, ngase keqkuptimet dhe keqinterpretimet e teksteve fetare kanë qenë tejet të pranishme në mesin e besimtarëve.
Një kumtesë interesante ishte edhe ajo e prof. dr. Muhamed Ali Salabit, i cili njëherësh është edhe zëvendëskryetar i Unionit. Ai gjatë ligjërimit të tij theks të veçantë i kushtoi Kur’anit, si burimi dhe referenca më e besueshme e dokumentimit të historisë njerëzore dhe jo vetëm.
Gjatë këtij trajnimi përmes dijetarëve prof. dr. Isam El-Beshir, prof. dr. Abdul Vehab Akinçi, prof. dr, Refet El-Mikati (rektor i Universitetit Islam në Bejrut), prof. dr. Hajredin Hoxha, prof. dr. Safvet Haliloviç etj, imamët pjesëmarrës patën mundësi të dëgjojnë referate të ndryshme nga Kur’ani, tefsiri, fikhu, kultura dhe civilizimi, si dhe për kontributin e shqiptarëve myslimanë në komentimin e Kur’anit Famëlartë.
Në fund të trajnimit me vlerë, në prani të Kryetarit i Unionit Botëror të Dijetarëve Myslimanë, prof. dr. Ali Karadagi, u mbajt ceremonia e mbylljes me shpërndarjen e certifikatave si dhe u zhvilluan vizita në disa xhami kryesore dhe monumentale të Stambollit.