Në xhaminë e Dudasit përkujtohet Lindja e Begatë e Hz. Muhammedit (a.s) – Mevludi Sherifë
Ditën e hënë, më 16 shtator 2024, pas namazit të iqindisë, në atmosferën e begatë të muajit Rebiul-Evel 1446, në xhaminë e lagjes Dudas, u përkujtua Lindja e Begatë e Hz. Muhammedit (a.s) përmes një aktiviteti të larmishëm me temë: “I Dërguari i Allahut, Muhammedi (a.s), mëshirë e dërguar për gjithësinë!”
Pas faljes së namazit të iqindisë nën drejtimit e imamit të xhamisë së lagjes Dudas, aktiviteti vijoi me leximin e një pjesë nga Kur’ani Famëlartë dhe ligjëratat e rastit.
Në fjalën e tij, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari vuri theksin te rëndësia që kanë tubimet dhe mexhliset e Mevludi Sherifit, ku besimtarët përkujtojnë Lindjen e Begatë të Hz. Muhammedit (a.s) dhe mesazhet hyjnore, me të cilat ai u dërgua si mëshirë për gjithësinë.
Myftiu theksoi, se sot më shumë se kurrë njerëzimi, bota dhe ymeti islam kanë nevojë për mesazhet shëruese të Hz. Muhammedit (a.s), aq më tepër kur agjendat e ndryshme dhe politikat e shkatërrimit të familjes, arsimimit të brezit të ri dhe ato kundër shëmbëlltyrave, sa vijnë e shtohen.
Myftiu tha, se të gjithë ne jemi të ftuar, që të shkojmë pas rrugës së Pejgamberit (a.s) për të marrë dritën e udhëzimit dhe për ta shpërndarë te njerëzit, si përçues të udhëzimit të distancuar nga pesimizmi dhe të ndarë nga shkatërrimi.
Ai tha, se rrugët tona janë të ndara nga prishja në tokë dhe ftoi besimtarët, që të jenë të vëmendshëm dhe të kundërshtojnë krejt politikat, që kanë për qëllim të prishin familjen, të dëmtojnë rininë dhe të shkatërrojnë tabanin tonë shekullor të besimit dhe të identitetit fetar dhe kombëtar.
Pastaj, e mori fjalën imami i xhamisë Dudas, H. Samel Haxhia, i cili u ndal te cilësitë e Pejgamberit (a.s), me të cilat e ka stolisur Allahu i Madhëruar, duke theksuar, se muslimani e ka detyrë ta pasojë të Dërguarin e Allahut në cilësitë dhe moralin e tij.
Aktiviteti vijoi me këndimin e disa pjesëve nga “Mevludi i Hfz. Ali Ulqinakut” dhe disa ilahi, që u sollën për të pranishmit nga H. Alban Kali, H. Samel Haxhia dhe Dritan Kurti.