Prof. Dr. Mehmet Görmez viziton Shkodrën
Pasdrekën e ditës së shtunë, më 7 dhjetor 2024, në mjediset e hotel Colosseu, Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Qendrën e Hulumtimeve “Minber” organizoi një aktivitet me pjesëmarrjen e Prof. Dr. Mehmet Görmez, drejtor i Institutit të Mendimit Islam, në Ankara të Turkiyes.
Fillimisht, përshëndetën Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari dhe drejtori i Qendrës së Hulumtimeve “Minber”, Dr. Ferid Piku, të cilët gjatë fjalëve të tyre shprehën kënaqësinë për vizitën e prof. Görmezit në Shqipëri dhe kryesisht në Shkodër, i cili ka kontribuar dhe kontribuon jashtëzakonisht për zhvillimin e metodologjive bashkëkohore të mendimit islam.
Më pas, Prof. Dr. Mehmet Görmez, ish-Kyetar i Dyjanetit Turk në referatin e tij u ndal rreth temës: “Shoqëria islame dhe koncepti i ymetit”, ku shpalosi ide frytëdhënëse, koncepte të të kuptuarit origjinal të fjalës ymmet dhe rolit të fesë në lehtësimin e jetës së njerëzve dhe shoqërive bashkëkohore.
Prof. Görmez, theksoj se shoqëria islame më shumë duhet të fokuset në jetën morale të pejgamberëve të Zotit Fuqiplotë si dhe të vlerësoj përzgjedhjen që i ka bërë Krijuesi i gjithësisë ymetit të Muhamedijes si populli i mesëm në besim, adhurim dhe etikë…
Në prezencë të një numri të konsiderueshëm pjesëmarrësish si imamë, teologë, intelektualë, drejtues institucionesh, të rinj dhe të reja, në fund të aktivitetit, Myftiu Sytari, në shenjë vlerësimi dhe nderimi për mikun e madh të shqiptarëve ndau një moment të veçantë, duke i dhuruar Prof. Dr. Mehmet Görmezit një dhuratë simbolike, që simbolizon dijen, si shenjë dalluese e këtij personaliteti me famë botërore.