Kujdes fëmijët, jetojmë kohë të vështira!
Ditën e xhuma, më 13 dhjetor 2024, në vazhdën e një cikli ligjëratash kushtuar çështjes së edukimit të fëmijëve dhe marrëdhënieve prind fëmijë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, vijoi me tefsirin e ajetit 132 të sures El-Bekare, ku ndër të tjera u ndal te rëndësia e komunikimit dhe hapjes së rrugëve të dialogut ndërmjet prindit dhe fëmijës, ku theksoi se: “Kujdes fëmijët, jetojmë kohë të vështira! Investohen qeveri, shoqata e fondacione për të prishur moralin, besimin, vlerat dhe tabanin!
Dita-ditës po vërtetohet tendenca e rrëshqitjes në idhujtari e diktaturë të afetarizmit dhe islamofobisë, nëpërmjet shfaqjeve të dhunshme të festimeve marramendëse, pa asnjë vlerë e pa asnjë dobi, plot zhurmë e promovim të alkoolit e shthurjes, në zemër të lagjeve muslimane, por jo vetëm!
Amaneti i ruajtjes së besimit e fesë, që e hasim në shumë ajete kut’anore, është promovim i lirisë dhe të jetuarit me dinjitet, që nxit Libri i Allahut dhe mësimet e dritshme të fesë islame. Uluni dhe flisni me fëmijët tuaj, mos iu përgjigjuni thirrjeve të pamoralshme dhe tunduese, të kujtdo, që punon ditë-natë, me dije a pa dije, në rrugën e shkatërrimit të vlerave!”
Ky është një cikël i ri ligjëratash javore, që Myftiu i Shkodrës po jep në xhaminë e “Dy Vajzave” me theks te rëndësia që ka kjo temë në realitetet e sotme shqiptare, por jo vetëm.