Aktivitet për Ditën Botërore të Gjuhës Arabe
Paraditen e së mërkurës, më 18 dhjetor 2024, Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”, Shkodër, dega e djemve, në kuadër të 18 dhjetorit, të shpallur nga UNESCO, si Dita Botërore e Gjuhës Arabe, zhvilloi një aktivitet me temë: “Gjurmë të arabishtes në trashëgiminë tonë shekullore”.
Përveç përfaqësuesve dhe imamëve të Myftinisë Shkodër, ishin të pranishëm, mësues, intelektualë, nxënës të medresesë dhe dashamirës e njohës të gjuhës arabe.
Teologu Arben Halluni në fjalën e tij të hapjes, ndër të tjera tha, se: “Gjuha arabe, si gjuha e Islamit dhe e Kuranit, flitet nga rreth gjysmë miliardi njerëz anë mbanë botës, gjuhë që është përfshirë zyrtarisht si gjuha e gjashtë e OKB-së. Gjuha arabe nuk u quajt “arabishte” shkaku i arabëve, por arabët u quajtën arab, shkaku i arabishtes, sepse arabishtja është më e fortë se racat, më e fortë se fiset, më e fortë se etnitetet, më e fortë se identitetet lokale dhe rajonale. Allahu (xh.sh) e zgjodhi arabishten që të jetë bazamenti mbi të cilin e vendosi shpalljen hyjnore (Kur’anin)”.
Më pas e mori fjalën drejtori i Medresesë, z. Kujtim Dervishi, i cili në fjalën e tij vlerësoi organizimin e këtij aktiviteti mjaft të rëndësishëm kulturor dhe arsimor. Ai dha edhe disa statistika të vyeshme të lëndës së gjuhës arabe që nuk është ndaluar asnjëherë në plan-programet mësimore të Medresesë, qysh në hapjes e saj, pas viti 1990.
Ndërsa, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari në fjalën e tij duke u ndal tek gjurmët e arabishtes tek hoxhallarët shkodranë, të cilët në sajë të kontributeve të tyre të çmuar bënë që ajo të quhet tashmë një trashëgimi shekullore e ruajtur brez pas brezi, ndër të tjera tha, se: “Në këtë aktivitet të rëndësishëm jemi të rrethuar nga flladet e ajetit kur’anor: “Thuaj: Zoti im më shto diturinë”, dhe e gjeta të shkruar në këto tablo të bukura dhe artistike të kaligrafisë arabe në më shumë se shtatë vende. Që do të thotë se arti i shkrimit të arabishtes është mrekulli në vete, shkencë në vete, sepse është gjuhë e Kur’anit, por jo vetëm, gjuha e matematikës, gjuha e astronomisë, gjuha e letërsisë, gjuha e krejt shkencave, të cilat i dhanë botës zhvillime të jashtëzakonshme, që i dëshmojmë edhe sot e kësaj dite, falë kontributit të nxënësve të arabishtes… ”.
Gjithashtu gjatë ligjëratës së tij Myftiu solli në vëmendje kontributet e një elite hoxhallarësh dhe myderrizësh të Shkodrës, të periudhës së shekullit 19′ dhe 20′ si: Gjurmët e Jusuf efendi Tabakut, Hafiz Ibrahim beg Bushatit, Hafiz Hasan efendi Podgoricës, Haxhi Hafiz Jusuf Repishtit, Haxhi Muhamed Bekteshit, Hafiz Sabri Koçit, Hafiz Myrteza Vucit, Osman efendi Metit, Hafiz Abas Golemit, Hafiz Halil Pukës, Daut efendi Boriçit, Hafiz Adem Kazazit, Hafiz Sheuqet Boriçit, Hafiz Ymer Bakallit, Hafiz Qamil Tresit, Hafiz Esat Myftisë, etj.
Në vijim aktiviteti pati edhe një surprizë mjaft të bukur, ku drejtori i Medresesë, z. Kujtim Dervishi në emër të institucionit që drejton dhe stafit pedagogjik i akordoi Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari një Certifikatë Mirënjohje me motivacion: “Për kontributin, profesionalizmin dhe përkushtimin si mësues i Kur’anit në Medrese si dhe për përkrahjen, mbështetjen dhe promovimin e vlerave edukative, fetare dhe kulturore në zonën e Shkodrës dhe në hapësirën islame mbarëkombëtare”.
Në fund të këtij aktiviteti, u shfaq nga një grup medresistësh aftësia për të shkruar arabisht si dhe ekspozita e artit të kaligrafisë arabe.