Muaj të begatë dhe me adhurime e lutje të pranuara!
Me rastin e fillimit të Tre Muajve të Mirë: Rexheb, Shaban dhe Ramazan 1446/2025, Myftinia Shkodër uron të gjithë besimtarët: Muaj të begatë dhe me adhurime e lutje të pranuara!
Nesër, e mërkurë, më 1 janar 2025 është dita e parë e muajit të shenjtë Rexheb 1446, që sinjalizon edhe fillimin e Tre Muajve të Mirë, Rexheb, Shaban dhe Ramazan.
Duke u nisur nga hadithi i Pejgamberit (a.s), i cili ka thënë: “Punoni mirë gjithë kohën dhe shfrytëzoni disa momente të veçanta të mëshirës së Allahut, sepse Allahu i ka caktuar disa momente të veçanta prej mëshirës së Tij, me të cilat i godet atë që dëshiron prej robërve të Tij”. – (Transmeton Tabaraniu)
për çdo besimtarë, del detyrë që ta presin këtë mirësi të Zotit të Madhëruar me istigfare (kërkim falje), sadeka, lutje dhe të jetë sa më korrekt me veten, me të tjerët dhe veçanërisht me Krijuesin, Allahun e Madhëruar.
Atmosfera e Tre Muajve të Mirë është mundësi e madhe për secilin prej nesh, të rregullojë dhe të përmirësojë marrëdhënien me Zotin e gjithësisë, shtimin e dhikreve, agjërimeve nafile, sadekasë, përkrahjen e nevojtarëve, etj.
Duhet pasur parasysh, se kjo periudhë, është një mundësi e mrekullueshme për rregullimin e marrëdhënieve familjare, farefisnore dhe ato shoqërore, duke falur e toleruar njëri-tjetrin!
Përpara se të shpallej Islami, në Muajt e Shenjtë, prej të cilëve është edhe muaji Rexheb, idhujtarët ndalonin edhe luftërat në mes vete. Koha është që besimtarët në këtë periudhë të kontrollojnë se çfarë flasin, të ndalojnë të keqen në mes tyre, të distancohen nga përgojimi e thashethemet, të rregullojnë nijetin e të pastrojnë zemrën nga sëmundjet e saj.
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin Famëlartë: “Numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë muaj, në librin e Allahut, që ditën që krijoi qiejt dhe tokën; prej tyre, katër janë të shenjtë. Kjo është feja e drejtë, prandaj mos i bëni zullum (padrejtësi) në to vetes tuaj…”. – (Kur’ani, Et-Teube: 36)
Allahu i Madhëruar ka dalluar disa vende, ndaj disa të tjerëve, ka dalluar disa njerëz ndaj disa të tjerëve, dhe ka dalluar disa momente, ndaj disa momenteve të tjera.
P.sh, Allahu i Madhëruar betohet:
– “Betohem për këtë vend..”
Ose është betuar:
– “Pasha jetën tënde…!”
Ose:
– “Pasha kohën!…” etj.
Prandaj, të gjithë ne të jemi të vëmendshëm, veçanërisht gjatë këtyre Muajve të Mirë dhe të mos e shpërdorojmë kohë në gjëra të kota dhe të pavlera.
Gjatë muajit Rexheb, janë edhe disa ngjarje me rëndësi të mëdha historike, që kanë ndodhur në të:
- Beteja e Tebukut
- Çlirimi i Kudsit Sherif nga Salahudin Ejubi (1187/583h)
- Israja dhe Miraxhi
Etj.