
U mbyll me sukses cikli i ligjëratave: “Si të ishte një copë Hëne!”
Ashtu sikurse ishte lajmëruar përgjatë dy javëve me radhë gjatë periudhës 8 – 18 shtator 2025, Myftinia Shkodër në kuadër të aktiviteteve të larmishme, me rastin e përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), zhvilloi edhe ciklin e ligjëratave: “Si të ishte një copë Hëne!”.
Nëpërmjet ligjëratave të larmishme me theks te personaliteti dhe shëmbëlltyra e Hz. Muhammedit (a.s), besimtarët dhe të interesuarit patën mundësi që përgjatë këtij cikli ligjëratash të marrin informacione të shumta dhe të pajisen me argumente të bollshme mbi jetën, cilësitë dhe veçoritë e shumta me të cilat u spikat Hz. Muhammedi (a.s) në mesin e bashkëkohësve të tij, duke u dëshmuar ashtu siç përmendet në Kur’anin Famëlartë: “Me të vërtetë në të Dërguarin e Allahut keni shembullin më të mirë për atë, që shpreson Allahun dhe Ditën e Fundit!”
Gjatë këtij cikli të dobishëm ligjëratash, teologët e nderuar: H. Arben Halluni, H. Anis Agovi, H. Durim Kasemi, H. Ardit Ulqinaku, H. Naim Drijaj, Vaizja Zamira Bushati (Puka), H. Besim Barbullushi dhe H. Adil Cukali, hodhën dritën mbi tematika me rëndësi që i shërbejnë të sotmes dhe të ardhmes së besimtarëve muslimanë në përditshmërinë e tyre.
Myftinia Shkodër lutet e shpreson që nëpërmjet këtij cikli ligjëratash, mirësia, drita dhe shembulli i Hz. Muhammedit (a.s) të mbërrijë jo vetëm te besimtarët, por tek masa e gjerë e dëgjuesve dhe ndjekësve të këtij cikli të dobishëm.