Me ftesë të Bashkësisë Islame në Regensdorf të Zvicrës, ditën e shtunë, më 25 mars 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në tribunën fetare me temë: “Toleranca dhe bashkëjetesa në Islam”.
Në këtë aktivitet me dobi, Myftiu i Shkodrës referoi rreth bashkëjetesës ndërdetare në Islam, ku trajtoi domethënien e saj dhe argumentoi se historia e muslimanëve përgjatë shekujve është e bardhë dhe e mbushur me sinqeritet në marrëdhëniet e drejta me jomuslimanët.
Myftiu theksoi se, fenomene të reja si organizatat e ndryshme terroriste, që përhapin terror dhe padrejtësi në botë, sidomos kundër jomuslimanëve, nuk kanë asnjë lidhje me Islamin dhe udhëzimet e tij.
Në këtë tribunë referoi edhe Dr. Bashkim Aliu, ndërkohë imami i xhamisë së Regensdorfit, Mr. Ferit Zeqiri, theksoi se aktiviteti i gjatë i Qendrës Islame në Regensdorf është i mbushur me kontribute të dëshmuara në ruajtjen e vlerave shumëdimensionale të Islamit.
Në këtë aktivitet me dobi ishte i pranishëm edhe kënduesi i afirmuar damasken i Kur’anit, H. El-Mu’tesim El-Aseli.
Të pranishëm ishin edhe të nderuarit: Nehat V. Ismaili, Kryetar i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, Mr. Fehim Abazi, Kryetar i Qendrës Islame Shqiptare në Lozanë, H. Nebi Rexhepi, imam i xhamisë së Zyrihut, Mr. Festim Miftari, imam i xhamisë “Mërgimi”, në Affoltern am Albis, H. Burim Berisha, nga xhamia “El-Hidaje”, në St. Gallen etj.