Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë Zotit të vetëm të gjithësisë, All-llahut të Madhëruar, i Cili e zbriti Kur’anin udhërrëfim për njeriun, në të gjitha fazat e jetës së tij dhe për çdo kohë, sa të ketë jetë mbi tokë.
Atë e falënderojmë që na udhëzoi në Islam dhe na hapi dyert e së vërtetës, duke ia hequr perdet e mashtrimit, hutisë dhe devijimit zemrës dhe mendjes. Na bëri besimtarë. Dhe grada e besimtarit ka një pasqyrë; ajetin 165 të sures “El-Bekare”, ku urdhëron dhe thotë: “E nga njerëzit ka prej atyre, që në vend të All-llahut besojnë idhujt, që i duan (dhe i madhërojnë) ata, sikur (që besimtarët e vërtetë e duan) All-llahun! Por, dashuria e atyre që besuan është shumë më e fortë për All-llahun!” – (Kur’ani, El-Bekare: 165).
Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot, në këtë ditë dhe në çdo moment të jetës sonë, Ma të Dashtunit e Ma të Mirit të krijesave të All-llahut, Vulës së të Dërguarve, Hz. Muhammedit (a.s), thirrësit me dashni drejt dashnisë, edukuesit me frymën e besimit, bindjes dhe mëshirës për krejt krijesat e Zotit Një!
Të dashur dhe të nderuar vëllezër besimtarë,
Ajeti i lartpërmendur është një stacion shumë me rëndësi për jetën e gjithësecilit prej nesh. Në një mënyrë a një tjetër, të gjithë jemi të ftuar të meditojmë dhe t’i përgjigjemi këtij udhëzimi, që lidhet me Dashninë dhe mundësinë e afrimit nëpërmjet rrugëve të saj, drejt kënaqësisë së All-llahut, Zotit tonë!
Në Kur’anin Famëlartë, Ai dëshmon se besimtari i vërtetë, dashninë ma të madhe të jetës e ka për Zotin e tij! Si të jetë ndryshe? Si të mos e duash Atë që të dhuroi jetën, që të garanton rizkun, që të ruan e të mbron, edhe kur je i hutuar ndaj Tij? Si të mos e duash Atë, që të krijoi në mënyrën më të përsosur, të udhëzoi drejt asaj që nuk e dije, të fali në familje dhe të udhëzoi drejt formimit të saj, në natyrshmëri të plotë me rregullin e jetës!
Si të mos e duash, kur çdo gjë në këtë botë e ka krijuar në perfeksion, si e si, jeta jote të jetë e shtruar, pa probleme, pa lodhje e pa ngrakesa të papërballueshme? Natyrshëm, të gjithë e dijmë se kjo botë është vend i përpjekjeve, i sakrificës, i mundit, i xhihadit me nefsin, me sfidat e jetës, por, po të vështrojmë me vëmendje, çdo gjë në këtë botë, Ai e ka shtruar dhe e ka bërë të lehtë për njeriun.
Me fjalë të tjera, Zoti i gjithësisë, ta ka shtruar tokën, ta ka zbukuruar me male, me fusha, me lumenj, me detra, me bimësi, me kafshë, me krijesa e gjallesa, që gjithësesi, kthehen në dobi të jetës së njeriut mbi tokë. Krejt sa përmenda më lart, i ka pasuruar me dhunti prej Tij, që njeriu të përfitojë prej tyre, t’i eksplorojë, të kërkojë e të thellohet në studimin e mirësive të Tij, në rrugëtimet drejt përsosjes së Dashnisë karshi Tij (xh.sh)!
A mund të mos e falënderosh All-llahun me zemër, sa herë fryn flladi që të freskon, sa herë të përfshijnë rrezet e diellit ngrohës, sa herë shijon një gotë uji të ftohtë, që nuk peshohet me krejt pasuritë e botës?
A mund të mos përfshihesh nga ndjenjat e një dashnie të papërshkrueshme ndaj Tij, saherë sheh përreth dhe dëshmon përfeksion në krijimin e gjithësisë, që në asnjë mënyrë nuk mund të jetë krijuar, (e të vazhdojë jetën me një rregull perfekt), vetvetiu?
A mund të mos thuash: “Elhamdulilah”, sa herë ngrihesh nga sexhdeja, ku ke shijuar thirrjet e zemrës dhe ato të përuljes para duarve të Tij, teksa i thërret: “Ja Rabbi..!”?
Të dashurit e mi,
Më lejoni të ndalem këtu dhe t’ju marr për dore drejt Medines së Ndriçuar, ku sahabët janë bërë gati të falin sabahun, dielli, duket se po afron të dalë dhe Resulull-llahu (a.s) ende nuk ka dalë nga dhoma e tij…
Sahabët shohin njëri-tjetrin. Pse po vonohet vallë Lajmëtari i Zotit? Dhe, në këto mendime e vështrime, Drita e gjithësisë dhe bukuria e saj, shfaqet në mesin e tyre…
Hz. Muadh ibn Xhebel (r.a) rrëfen: “… (Resulull-llahu) doli me të shpejtë, nisi namazin dhe shpejtoi në të. Kur dha selam, thirri me zërin e tij: “Qëndroni në vendet tuaja, siç jeni!”
Pastaj u kthye nga ne dhe tha: “Do t’ju tregoj se çfarë më ndaloi të dal më herët, sot! U zgjova nga gjumi, mora abdes dhe u fala, aq sa u fala (namaz tehexhudi), pastaj u kota gjatë namazit, sa mezi mbaja kokën, kur m’u shfaq Zoti im, në pamjen më të bukur!
Më tha: “O Muhammed!” Ia ktheva: “Lebbejke, o Zoti im!” Tha: “Për çfarë garojnë njerëzit e gradave të larta?” Ia ktheva: “Nuk e di!”
Më pyeti tre herë, kur pashë se ma vuri dorën në mes të shpatullave të mia, sa ndjeva freskinë e saj në gjoksin tim, aq sa m’u shfaq çdo gjë dhe dhe e mësova!
Ai tha: “O Muhammed!” Thashë: “Lebbejke!” Tha: “Për çfarë garojnë njerëzit e gradave të larta?” Thashë: “Në rrugët e faljes së gjynaheve!” Tha: “E, cilat janë ato?” Thashë: “Hedhja e hapave drejt veprave të mira, ndenja në xhami pas namazeve, marrja e abdesit në momente të vështira!”
Tha: “Për çfarë tjetër?” Thashë: “Dhënia e ushqimit, butësia në të folur dhe namazi, teksa njerëzit flenë!”
Tha: “Kërko!” Thashë: “All-llahumme të kërkoj veprimin e mirësive, largimin nga pështirësitë, dashninë ndaj të vobektëve, të më falësh e të më mëshirosh dhe, nëse e sprovon një popull, më merr nga kjo botë të pa sprovuar!
Të kërkoj dashninë Tënde, dashninë e atyre që të duan Ty dhe dashninë e çdo pune që më afron me dashninë Tënde!”
Kjo është e vërtetë, prandaj kuptojeni, pastaj mësojeni!” – (Tirmidhiu, hasen sahih, që thotë: E pyeta Muhammed ibn Ismailin (Bukhariu), që tha: hasen sahih).
Të dashur të pranishëm,
Kjo është hiseja e kësaj xhumaje, ky është mesazhi që duhet ta kuptojmë e ta mësojmë, ta përhapim gjithandej, duke u përpjekur të mbjellim mirësi e mëshirë, bamirësi e humanizëm, që buron nga dashnia e Tij dhe bëhet shkak që përherë e më shumë të afrohemi drejt saj!
All-llahu ju dashtë dhe ju mëshiroftë!
Vel-hamdulil-lahi Rabbil-alemine!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbeja e mbajtur, më 24 mars 2017 në xhaminë e Tophanës)