Secili të rregullojë veten, të lutet për mirëqenien dhe të mos bëhet palë me të keqen!

Të gjitha falënderimet më të plota dhe përulja absolute, i takojnë Zotit të vetëm të tanësisë, All-llahut të Madhëruar, i Cili na krijoi NJERËZ, na udhëzoi në Islam dhe na bëri pjesë të ymmetit të Hz. Muhammedit (a.s). Prandaj 1000 herë: Elhamdulilah!

Në Kur’anin Famëlartë, në suren Fatir, Zoti i gjithësisë tregon për shembullin e ymmetit islam, ku thotë: “Ne u lamë në trashëgim librin robërve Tanë që Ne i kemi zgjedhur; e prej tyre ka që janë dëmtues të vetvetes, ka që janë mesatarë, e ka prej tyre që janë me ndihmën e All-llahut, të parët në punë të mira, e kjo është ajo mirësia e madhe.”[1]

Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot, në këtë ditë dhe në çdo frymë të jetës sonë, Ma të Dashtunit e Ma të Mirit, Vulës së të Dërguarve të All-llahut, Hz. Muhammedit (a.s), i Cili, kur e lexoi këtë ajet, iu drejtua sahabëve duke thënë: “Të gjithë janë pjesë e këtij ymmeti!”[2]. Pra, në ymmetin islam do të jenë krejt këta kategori njerëzish.

Të dashur e të shtrenjtë,

Sapo kemi hyrë në atmosferën e begatë të Tre Muajve të Mirë; Rexheb, Shaban dhe Ramazan. Sot, është e xhumaja e parë e Muajit Rexheb. Kjo mirësi, që kthehet sërish në mesin tonë, është një ftesë e hapur hyjnore nga Zoti i gjithësisë, i Cili na fton drejt rregullimit të marrëdhënieve tona me besimin dhe fenë, me moralin dhe udhëzimin islam, për t’u dëshmuar muslimanë hak, jo tekanjozë, që sa herë u nevojitet feja, bëhen fetarë dhe sa herë u “prish punë” etiketa islame, nuk e kanë për gjë ta kthejnë pllakën!

Në ajetin e lartpërmendur, All-llahu i Madhëruar përmend tre kategori njerëzish, të cilët janë pjesë e këtij ymmeti të begatë islam: dëmtues i vetvetes (dhalimun linefsihi), mesatar (muktesid) dhe ata që me mbarësinë e All-llahut, janë të parët në punë të mira (sabikun bil-khajrat).

Në Islam nuk ka mashtrim! Muslimani nuk gënjen, muslimani nuk vjedh, muslimani nuk është njeri i korruptuar, muslimani nuk merr jetën e tjetrit, muslimani nuk terrorizon, muslimani nuk hedh baltë mbi të tjerët, muslimani nuk ia bën gropën vëllasë së tij musliman, muslimani nuk është pijetar, muslimani nuk është imoral!

Në Islam, ne jemi të ftuar të afrohemi me Zotin tonë, në rrugëtimet e përsosmërisë individuale dhe asaj shoqërore. Kësisoj, muslimani është i pastër, muslimani pendohet nga gjynahu që bën për të mos iu kthyer më atij, muslimani lartësohet nëpërmjet namazit, dhikreve, leximit të Kur’anit, namazit të natës, tehexhudit, agjërimit, umresë, haxhit, dhënies së zekatit, sadekave, ndihmës ndaj të vobëktëve. Muslimani është simbol i paqes sociale dhe i krejt elementëve të së mirës në jetë!

E kundërta, nuk ka lidhje me fenë dhe me besimin tonë! Ajo që përhapet sot, nëpërmjet propagandave të së keqes në mbarë botën, kundër nesh, kundër Resulull-llahut (a.s), kundër Kur’anit, kundër Islamit, nuk është asgjë tjetër, vetëm se një periudhë dëshpërimi në zemrat e atyre që e kanë kuptuar se Islami është feja e këtij shekull dhe, se mbarë bota po ndërgjegjësohen dhe po zgjohen nga gjumërat e idhujtarive, paditurisë, mashtrimeve të mëdha dhe korrupsionit me zemrën dhe intelektin botëror!

Të dashur besimtarë,

Koha është që ta shfrytëzojmë këtë periudhë tremujore, duke bërë një kontroll të imët ndaj vetes; mendimeve, sjelljeve, veprave, mënyrës së komunikimit në familje, me prindët, me fëmijët, me të afërmit, me shoqërinë, me vëllazërinë e xhamisë, me bashkëqytetarët. Koha është që gjithësecili prej nesh të deklarojë pendimin e tij para duarve të All-llahut, duke kërkuar falje në sexhde, natën, teksa njerëzit flenë. Duke trokitur dyert e mëshirës, faljes, udhëzimit, rizkut, bujarisë, butësisë, dijes, urtisë, aty në sexhde, para duarve të All-llahut, që nuk ka nevojë as për faljen tonë, as për adhurimet e krejt universit!

Vëllezër dhe motra,

Ju e shihni sesi vendi ynë, po rrëshqet ditë pas dite drejt greminave të pasigurisë, të varfërisë e skamjes, krizave politike e korrupsionit, hashashit e drogës, islamofobisë dhe një anarshie të frikshme, para të cilave, e kemi për detyrë të mos heshtim dhe të marrim përgjegjësitë tona si qytetarë të këtij vendi!

Secili të rregullojë veten, të lutet për mirëqenien dhe të mos bëhet palë me të keqen! Sepse, kushdo që mbështet të keqen, do të japë llogari para duarve të Krijuesit në ditën e gjykimit!

Shihni qytetin tuaj! Shkodra nuk është kjo! Na e kanë kthyer qytetin në arenë vulgu, që gëlon gjithandej në rrjete sociale, në media, në institucione, për shkak të politikave tjetërsuese të shpirtit shekullor të qytetarisë shkodrane, të harmonisë komunitare, të bashkëjetesës në mesin e qytetarëve me fe të ndryshme, në mesin e tregtarëve, në sport, në kulturë, gjithandej!

Prandaj, të kthehemi nga Zoti, të kthehemi nga feja e jonë, të rregullojmë atë që është prishur dhe të mos tolerojmë, për asnjë arsye, tjetërsimin, sepse politikat e tjetërsimit, po bëjnë me fëmijët tanë dhe edukimin e tyre, atë që bënin dikur komunistët me ata breza, që sot konsiderohen si “brezni e djegur”!

Fëmijët tanë janë brezat e ardhëm të Islamit, të shekullit të Islamit, të pastërtisë së Islamit, të Shqipërisë së Islamit, të bashkëjetesës së pashembullt të drejtësisë, paqes dhe vlerave të Islamit! Për këtë të punojmë dhe për këtë të shfrytëzojmë këtë periudhë të madhnueshme, që sapo ka trokitur në dyert tona, si një mundësi që nuk duhet neglizhuar!

All-llahu ju dashtë e ju begatoftë me mirësitë e Tij!

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

 (Hytbeja e mbajtur, më 31 mars 2017, në xhaminë e Parrucës)


[1] Kur’ani, Fatir: 32.

[2] Sipas transmetimit të sahabiut Usama ibn Zejd (r.a).