Me udhëzim të posaçëm të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ditën e xhuma, më 21 prill 2017, në të gjitha xhamitë e Shkodrës, hytbeja e kësaj jave iu kushtua ndodhisë së mrekullueshme të Israsë dhe Miraxhit të Hz. Muhammedit (a.s), nga Meka në Kudsi Sherifë dhe prej aty, drejt lartësive qiellore.
Israja dhe Miraxhi është një ndër ngjarjet më të shënuara në jetën e të Dërguarit të All-llahut, për të cilën bëjnë fjalë edhe ajete të shumta në suren “El-Isra” dhe në suren “En-Nexhm”.
Imamët e xhamive të Shkodrës, kanë bërë thirrje sot, që muslimanët të lexojnë me vëmendje detajet e kësaj ngjarjeje të shënuar, për të kuptuar se Islami është feja që e merr për dore njeriun për ta nxjerrë nga errësira në dritë, nga padituria në dije, nga dobësia në forcë, nga egoizmi në altruizëm, nga arroganca në mëshirë.
Israja dhe Miraxhi janë një ftesë për të mos jetuar në poshtërim, sikurse nxisin muslimanët kudo në botë drejt lartësimit në këtë botë dhe angazhimit për përhapjen e vlerave më të mira të paqes dhe drejtësisë në jetë.