
Shpresa e ndryshimit dhe ndryshimi i shpresës!
4 dhulhixhe 1446 – 1 qershor 2025.
Qabja e Madhnueshme është tejmbushur nga haxhilerët që kanë ardhur nga mbarë bota për të kryer ritualet e umres dhe tavafeve, në prag të ditës së Arefatit, ku kulmon edhe adhurimi i Haxhit të çdo viti.
Deri atë ditë, vendi gumëzhin nga ecejaket, lëvizjet e gjalla, takimet e adhurimet e miliona besimtarëve, që tashmë kanë mbërritur nga çdo cep i largët i globit.
Edhe nga trojet tona shqiptare kanë mbërritur me mijëra besimtarë. Edhe nga Shkodra kanë udhëtuar plot vëllezër e motra, me të cilët u ndamë me amanetin e lutjes dhe përkushtimit!
Është emocion i papërshkrueshëm. Duket se krejt bota është mbledhur përreth Thirrjes së lashtë të Babait të Pejgamberëve të Allahut, në Shtëpinë më të vjetër të adhurimit mbi faqen e dheut!
Kudo që hedh sytë, ka dashni e njerzillek, ka paqe e bamirësi, ka altruizëm e solidaritet, ka lutje e lot shprese!
Kudo që hedh sytë, ka njerëz të veshur me të bardha, që në vetvete dëshmojnë forcën e besimit dhe madhështinë e tij, edhe në kohë sprovash të mëdha e hutimesh të padëshmuara më herët…
Bota e jonë sot, ka nevojë më shumë se kurrë të veshë ihramet e kthimit nga rruga e Zotit, larg shejtanëve e besnikëve të devijimit, shfarosjes së jetës e shkatërrimit të saj!
Bota sot, ka nevojë të ndryshojë kursin e rrugëtimit drejt perëndimit të jetës së saj, për të ruajtur dinjitetin e krenarinë legjitime të origjinës fisnike të krijimit!
Në Qaben e Madhnueshme, çdo orë e çast, lutje të panumërta ngrihen drejt lartësive të pranimit. Ndoshta, për hatrin e ndonjë të pluhurosuri, të pakrehur, në heshtje e në sinqeritetin e tij të besës, Allahu i Madhëruar, mund të na japë shpresën e ndryshimit dhe ndryshimin e shpresës! Amin!
Allahu ia pranoftë dhe qoftë me ta në këtë mirësi e bekim të madh për ta dhe krejt botën!
Imam Muhamed B. Sytari
1 qershor 2025