Reportazh për xhaminë e Plumbit: Simbol i historisë, besimit dhe trashëgimisë kulturore osmane

Reportazh për xhaminë e Plumbit - Simbol i historisë, besimit dhe trashëgimisë kulturore osmane

Reportazh për xhaminë e Plumbit: Simbol i historisë, besimit dhe trashëgimisë kulturore osmane

Në një reportazh për televizionin Teuta të Ulqinit, teologu Arben Halluni, ndau me publikun detaje të rëndësishme për xhaminë e Plumbit në Shkodër, pas përfundimit të restaurimit të plotë të saj, një kult i rëndësishëm islam, por edhe një trashëgimi e vyer historike për qytetin e Shkodrës dhe jo vetëm.

Teologu Halluni gjatë intervistës me gazetaren znj. Egzona Shata tha se: Xhamia e Plumbit, një ndër monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë osmane në Shqipëri, është rikthyer në shkëlqimin e saj origjinal, falë një investimi prej afro 6 milionë euro, dhuruar dhe financuar nga qeveria turke në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Ky projekt tashmë i përfunduar është një rëndësi jetike për ruajtjen afatgjatë të objektit monumental të Kategorisë së Parë, i cili për dekada me radhë ka vuajtur nga përmbytjet e vazhdueshme për shkak të vërshimeve nga ujërat e lumenjve Kir dhe Drin, etj.

Në intervistën e zhvilluar, që do të transmetohet në ditën e parë të Kurban Bajramit, z. Halluni theksoi rëndësinë shpirtërore, kulturore dhe arkitektonike të kësaj xhamie që daton nga shekulli XVIII nga Mehmet Pashë Plaku/Bushatlliu. Me një ndërtim unik me plumb në kupola dhe konstruksion karakteristik osman, ajo përfaqëson një pjesë të identitetit të Shkodrës dhe të gjithë historisë islame në trojet shqiptare.

Ai përmendi se, më 8 maj 2025, në një ceremoni protokollare, u bë hapja zyrtare e xhamisë së Plumbit, e cila u kurorëzua me një lidhje virtuale të Presidentit të Turkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, si dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të institucioneve fetare dhe civile dhe qytetarëve të shumtë. Ndërsa falja e parë e xhumasë, pas restaurimit, u bë më 30 maj 2025, ku besimtarët e shumtë, nën drejtimin e Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mbushën ambientet e xhamisë në një atmosferë gëzimi dhe festë historike.

Me rastin e Kurban Bajramit, i cili këtë vit është më 6 qershor, teologu Halluni përcolli mesazhe të rëndësishme të unitetit, faljes, paqes sociale dhe mirësisë. Ai theksoi rëndësinë që kjo festë ka për besimtarët myslimanë si një moment sakrifikimi, solidariteti dhe përkushtimi ndaj Zotit Fuqiplotë dhe komunitetit në përgjithësi.