Mexhlisi i Mevludi Sherifit në xhaminë e fshatit Shkjezë
Paraditën e së dielës, më 11 tetor 2026, Myftinia Shkodër organizoi një aktivitet të larmishëm, në kuadër të mexhliseve të Mevludi Sherifit 1448.
I pranishëm në këtë tubim vlerash, ishte edhe Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, i cili mbajti edhe ligjëratën e rastit.
Më herët, imami i xhamisë së fshatit Shkjezë, i nderuari H. Dritan Cukali, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe u lut për mbarësi e bekime për mbarë komunitetin e zonës dhe përtej.
Në ligjëratën e këtij mexhlisi, Myftiu i Shkodrës, u përqendrua tek rëndësia e qëndrueshmërisë në besim dhe tek vlera e dëshmimit të fetarizmit të shëndoshë nëpërmjet veprave, me këdo e kudo.
Myftiu theksoi se, fakti i dërgesës universale të Hz. Muhammedit (alejhis-selam), si mëshirë e dhuruar, na nxit përherë e më shumë që këtë mëshirë ta dëshmojmë me këdo prej krijesave të Zotit.
Ai solli në vëmendje të besimtarëve të pranishëm ngjarjen e sahabiut të dashur, Hz. Abdullah ibn Hudhafe Es-Sehmi (Allahu qoftë razi me të) dhe qëndrueshmërinë e tij para tundimeve të mbretit romak dhe kërkesës për të ndërruar fenë e besimin.
Aktiviteti vijoi me këndimin e ilahive, pjesëve të “Mevludit” dhe lutjen e rastit.
Në fund, u krye edhe falja me xhemat e namazit të mesditës, si një bekim i shtuar mbi të pranishmit.










