Paraditën e së martës, më 3 tetor 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me një grup imamësh të qytetit dhe fshatit, me të cilët diskutoi rreth gjallërimit të aktivitetit fetar në qytet dhe fshat.
Gjatë takimit, Myftiu vlerësoi angazhimet e imamëve, duke theksuar se amaneti i bartjes së Thirrjes Islame tejkalon të gjitha vështirësitë, pengesat, sfidat dhe llogaritë e tjera jashtë saj.
U diskutua plan-programi i ri i lëvizjes sezonale të hatibëve për hytben e xhumasë, ku u pasqyrua grupi i parë i xhamive të përfshira në të.
Duke nisur nga e xhumaja e ardhshme, për një periudhë pesë javore, Myftinia Shkodër, ka planifikuar qarkullimin e imamëve teologë për të mbajtur hytben e xhumasë në xhamitë e fshatrave: Mjedë, Boks, Milan/Rrasek, Trush, Rragam, Ganjollë, Shtuf dhe Fshati i Ri.
Programi i qarkullimit të hatibëve në kuadër të gjallërimit të aktivitetit fetar në xhamitë e Shkodrës do të përfshijë të gjitha xhamitë e fshatrave të Shkodrës.