Paraditën e së enjte, më 8 mars 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me imamët e Myftinisë Shkodër, në kuadër të gjallërimit të aktivitetit fetar.
Fillimisht, Myftiu falënderoi teologët pjesëmarrës në konferencën e 7-të vjetore, ku theksoi se teologët e Shkodrës vërtetuan se janë të aftë për projekte të tilla dhe se përgatitja e tyre i bën të aftë për përgjegjësi dhe angazhime që ia lartësojnë emrin dhe pozitën Myftinisë Shkodër dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Më pas, kërkoi që për çdo muaj, të ketë një hytbe kushtuar familjes dhe vlerave të saj në Islam.
Kohët e fundit po shohim sesi janë rritur propagandat kundër familjes tradicionale shqiptare, sesi media po promovon modele dekadente dhe sesi politika po degradon në këtë drejtim, duke abuzuar dhe shkelur mbi tabanin kombëtar dhe atë fetar të shoqërisë sonë, në raport me vlerat e familjes.
Në këtë takim u diskutua edhe mbi disa çështje që lidhen me cilësinë e ligjërimit fetar, shtimin e aktiviteteve dhe rritjen e përgjegjësisë karshi besimtarëve dhe vetë qytetit.