Të dashur dhe të nderuar të pranishëm,
Po shfletoja lajmet e ditës së sotme, ku ndër të tjera u ndala tek deklarata e zëdhënësit të Presidencës së Turqisë, intelektualit të shquar, Ibrahim Kalin. Sipas TRT në gjuhën shqipe, citohet deklarata kuptimplote e z. Kalin: “Ky është kulmi i injorancës dhe idiotësisë në epokën moderne..!”, në lidhje me “kërkesën e intelektualëve francezë për heqjen e disa ajeteve nga Kurani”.
Shpejt e shpejt më erdhën ndër mend disa citime objektive të një shumësie dijetarësh, intelektualësh dhe shkencëtarësh të shquar perëndimorë, përfshi edhe francezë, në lidhje me Kur’anin.
Fjala bie: “Kur’ani është fjala e All-llahut, e shpallur në gjuhën e pastër arabe, ndërsa përkthimi i tij nuk do ta kalojë nivelin sipërfaqësor. Kush pra, do të mund ta përshkruajë bukurinë e Fjalës së Zotit në çfarëdo gjuhe?” – profesore e Universitetit të Harvardit, studiuesja gjermane, Annemarie Schimmel (1922-2003).
Ose: “U angazhova me studimin e Kur’anit Famëlartë, pa asnjë mendim paraprak rreth tij, me objektivizëm të plotë në kërkim të shkallës së përputhshmërisë së tekstit kur’anor dhe të dhënave të shkencës bashkëkohore. Arrita në përfundimin se, nuk ka asnjë ajet që mund të kritikohet nga pikëpamja shkencore, në kohët moderne”. – mjeku i shquar francez, Maurice Bucaille (1928-1988).
Ose: “Bleva një kopje të përkthimit Savary në gjuhën frënge të kuptimve të Kur’anit; është gjëja më e shtrenjtë që posedoj! Gjatë leximit të tij ndjeva kënaqësinë më të madhe dhe u dritësova prej tij, derisa arrita në një gjendje, a thua se rrezet e tij të përjetshme më mbuluan me dritën e tij të begatë!” – shkrimtari anglez, W. B. Beckard.
Të dashur dhe të nderuar,
Pastaj, iu riktheva shënimeve personale të ditarit të datës 13 mars 2017, në Mekë. “Gjatë ditëve të qëndrimit në vendet e shenjta, është e pamundur mos të të bjerë në sy numri i stërmadh i vizitorëve besimtarë nga çdo cep i botës, të cilët në vetvete dhe në natyrshmëri të plotë me kulturat popullore dhe traditat e trashëguara, sjellin me vete edhe tiparet e qytetërimeve dhe vendeve, prej nga vijnë.
Sa shkon një grup, ja behin dhjetë të tjerë. Nordikë, amerikanë, italianë, aziatikë, afganë, turqë, shqiptarë, uzbekë, rusë, anglezë.., prej nga s’të zë syri. (Sot pasdite në tavaf, u takova me ca miq të mirë nga Gostivari). Asnjëherë, hapësirat përreth Qabes së Madhnueshme, rrugët e qytetit dhe hotelet e shumta të tij, nuk janë bosh.
Kudo gjen shenja bamirësie, bujari, foto vëllazërore, këmbim adresash, por jo vetëm. Ka edhe studiues, që në këto ditë të begata, këmbejnë mendime e punime, ide dhe alternativa të dobishme, që i shërbejnë projekteve të ndryshme, në dobi të shoqërive, vetë njerëzimit.
E, teksa po përgatitesha të shkruaj disa nga shënimet e kësaj dite, një mik i shtrenjtë më dërgoi një mesazh, në përbërjen e të cilit, ishte edhe kjo dëshmi, që ia ndryshoi rrjedhën shënimeve të ditës: “Qendra e Shërbëtorit të Dy Haremve (Mbretit të Saudisë), hapi në Britani, një panair informues rreth Islamit.
Në këtë panair mori pjesë edhe një mik yni, thirrës islam, që tregon sa vijon: Erdhi një burrë skocez dhe pasi u soll, sa andej-këndej, m’u afrua, më dha selam dhe nisi të fliste me mua. E pyeta nëse kishte dëshirë të dinte diçka rreth Islamit.
“Jo, jo, falemnderit! Nuk më pëlqejnë këto lloj prezantimesh, të cilat jemi mësuar t’i dëgjojmë prej kohësh. Përtej kësaj, kam jetuar në mesin tuaj për shumë vite, në shumë shtete arabe dhe islame. Poashtu, kam lexuar shumë për Islamin dhe di shumë gjëra rreth tij.”, – ma ktheu.
E pyeta: Po çfarë di rreth Islamit?
Tha: “Islami është fé e bukur, e mrekullueshme, disiplinon marrëdhënien tënde me tjetrin, kushdo qoftë ai, musliman a jomusliman. Të mëson si ta adhurosh Zotin tënd, në mënyrë të qartë, si të sillesh me prindët, bashkëshorten, fëmijët, komshiun, mbarë shoqërinë etj.!
Ndërsa ajo, çfarë ju veproni në realitet, është krejt ndryshe. Sepse, ju gënjeni, shani, vidhni, nuk keni respekt për kohën, jeni anarshistë, nuk e doni ligjin, e përçmoni tjetrin, jeni racistë, keni korrupsion, respektoni të pasurin dhe e nënçmoni të varfërin!”
Pastaj, më tha: “Më vjen keq, por më duket se të vura në siklet!”
Ia ktheva: Ti merr atë që të porosit Libri (Kur’ani) dhe lëre sjelljen e njerëzve!
Ai, luajti kokën në shenjë mohimi, pastaj vijoi: “Ju humbisni paratë dhe kohën tuaj me këto panaire! Ne dijmë shumë gjëra për ju. Ndoshta, edhe më shumë nga ç’dini ju për veten tuaj!
Kthehuni nga Libri juaj madhështor, praktikojeni atë që gjeni në të prej sjelljeve dhe parimeve. E, nëse e realizoni si duhet praktikën e tij, do të shihni se si njerëzit do të hyjnë në fenë tuaj, turma-turma, pa pasur nevojë për kësi panairesh. Sepse ne jemi një popull që na intereson rezultati i prekshëm në realitet, më shumë sesa çfarë lexohet në libra!”…
Në fakt, secili prej nesh, e ka për detyrë, të reflektojë dhe të rivlerësojë marrëdhënien e tij me Islamin dhe shoqërinë, familjen, veten, farefisin, kohën, punën, etj. Jo për konstatimet relativisht të sakta të një udhëtari skocez, as për shënimet e mia, as për opinionet e mbarë botës, por për marrëdhënien e tij me Zotin e tij dhe nivelin e sinqeritetit në raport me saktësinë e besimit dhe praktikimit të tij.
E vërteta është se, kjo fé do të mbërrijë, ku ka mbërritur nata dhe dita, kjo nuk ka asnjë dyshim. Ka mbërritur xhanëm! Por, më e rëndësishme se ky fakt hyjnor, që zhvillohet natyrshëm, me a pa ne është se, ku do ta vendosim ne veten tonë; tek muslimanët, në veprat e të cilëve lexohet Islami, apo tek njerëzit e tjerë..?!”, mbarojnë shënimet e asaj dite.
Të shtrenjtë,
Ramazani po afron, Kur’ani është aty në duart tuaja, në shtëpitë tuaja, imamët janë përherë pranë jush me mexhliset e përjavshme dhe shërbimet e përditshme!
Lutjuni All-llahut t’ju dritësojë mendjen dhe zemrën me Fjalën e Tij dhe lutuni pambarimisht, ashtu si na mëson Resulull-llahu (a.s.), që Zoti i gjithësisë ta bëjë Kur’anin pranverë të zemrës, dritë në gjoks, pastrues të mërzisë, largues i brengave dhe halleve!
Sikurse lutemi për krejt ata që kanë devijuar në errësirat e injorancës, urrejtjes dhe primitivizmit mesjetar: All-llahu i udhëzoftë nga Drita e Kur’anit!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Fjala e mbajtur në tribunën fetare
të organizuar nga Myftinia Shkodër
në xhaminë “Ebu Bekër”,
ditën e hënë, më 7 maj 2018)