Myftiu i Shkodrës priti për vizitë ish arqipeshkvin e Shkodrës, Mons. Massafra
Paraditen e së enjtes, më 30 tetor 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari priti në një takim kortezie, Mons. Angelo Massafra, ish arqipeshkv i Shkodrës, i cili ndodhet për një vizitë disa ditore në Shkodër.
Gjatë vizitës së përzemërt dy bashkëbiseduesit u ndalën në një sërë çështjesh me interes të përbashkët, ku theksi i vu tek angazhimet e mëdha të dy komuniteteve fetare, atij musliman dhe atij katolik, në shërbim të njerëzve në nevojë dhe në përpjekjet e vazhdueshme për përhapjen e vlerave qytetëruese të besimit dhe të fesë.
U soll në vëmendje gangrena e grabitjes së pronave të komuniteteve fetare, mosrespektimi i ligjeve dhe abuzimi me të drejtën e komuniteteve në vende dhe kohë të ndryshme, ku u përmend edhe rasti flagrant i ndërtimit të kullës në vakëfin e Fushë Çelës.
Nga ana e tij, Myftiu Sytari falënderoi vizitorin e çmuar për vizitën duke theksuar se Mons. Massafra me kontributet dhe angazhimin e tij mbetet përherë një mik i mirë dhe një qytetar i nderuar i Shkodrës.
Ndërkohë, Mons. Massafra shprehu dëshirën për vizitën e kompleksit të xhamisë së Plumbit në kuadër të 35-vjetorit të rihapjes së kësaj xhamie.
Bisedat me vlerë vazhduan edhe më tej duke nxjerr në pah rëndësinë që kanë këto takime dhe frymën e bashkëpunimit, që komunitetet fetare kanë ndërmjet vete.



