Bamirësi saudit, Zamil ibn Abdullah Ez-Zamil uron Myftiun e Shkodrës me rastin e 30-vjetorit të xhamisë “Ebu Bekër”
Pas lajmit të shpërndarë nga faqja zyrtare e Myftinisë Shkodër, më 27 tetor 2025, ku informon opinionit publik me rastin e 30-vjetorit të përurimit të xhamisë së madhe të Shkodrës në Fushë Çelë, që tashmë mban emrin e sahabiut të dashur, Hz. Ebu Bekri (r.a) dhe jehonës që bëri ky lajm edhe në media të ndryshme në gjuhën arabe, ditën e sotme, e mërkurë, 29 tetor 2025, bamirësi saudit Zamil ibn Abdullah Ez-Zamil, i ka dërguar një shkresë falënderimi Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ku ndër të tjera thekson:
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit
Shejkh i nderuar, Myftiu i Qarkut të Shkodrës – Allahu e ruajtë!
Es-Selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuh
E kemi ndjekur me vëmendje prononcimin tuaj të publikuar me rastin e 30-vjetorit të përfundimit të ndërtimit të xhamisë së madhe, “Ebu Bekër Es-Siddik” në zemër të qytetit të Shkodrës.
Na gëzon fakti që, nga Mbretëria e Arabisë Saudite, t’ju shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për fjalët tuaja të bukura dhe për përpjekjet e sinqerta që bëni në shërbim të Islamit dhe myslimanëve në Shqipëri.
Përmendja juaj e xhamisë, e historikut të vakëfit dhe e veprës bamirëse, si dhe ajo që përmbante prononcimi juaj lidhur me kujdesin për pasuritë dhe vakëfet e myslimanëve, kanë lënë një përshtypje shumë të mirë në zemrat tona.
E konsiderojmë këtë xhami dhe gjithçka që ka ardhur pas saj — nga frytet e dijes, thirrjes dhe përkushtimit në rrugën e drejtë — si një sadaka rrjedhëse, që lusim Allahun ta pranojë me një pranim të bukur dhe ta bëjë shkak për gjallërimin e jetës së besimit në ato troje.
Lusim Allahun t’ju japë ndihmë e sukses të vazhdueshëm, që kjo xhami e bekuar të vazhdojë misionin e saj në përhapjen e udhëzimit dhe dijes, t’i bekojë veprat tuaja, t’ju shpërblejë me të mira dhe t’i shkruajë përpjekjet tuaja në peshoren e veprave të mira.
Zamil ibn Abdullah Ez-Zamil
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari dhe Myftinia Shkodër falënderojnë pafundësisht kontributin e çmuar të familjes Ez-Zamil për ndërtimin e xhamisë së madhe në zemër të Shkodrës, me lutjet e përzemërta, që kjo xhami të ngelet një pikë referimi për Shkodrën duke u rritur ditë pas dite në nivelet më të larta të një vatre udhëzimi drejt dritës së tabanit, traditës dhe vlerave të mira islame dhe qytetare në Shkodër dhe përtej.
