Harithi (r.a) ishte një djalë i ri ensarit, që kishte punuar me besimin e tij, aq sa një ditë, kur Resulull-llahu (a.s) e pyeti se si ishte, ai iu përgjigj: “Besimtar hak!”
Resulull-llahu (a.s), që nuk ishte emocional në kësi rastesh, ia ktheu: “Shiko se çfarë thua, sepse çdo fjalë e ka një vërtetësi, cila është vërtetësia e fjalës tënde?”
I riu ia ktheu: “E kam larguar veten time nga kjo botë; në etje kaloj ditën, zgjuar kaloj natën! Më duket sikur shoh Arshin e Zotit tim para syve, më duket sikur shoh banorët e xhennetit teksa gëzojnë e vizitojnë njëri-tjetrin dhe banorët e xhehnemit në ndëshkimin e tyre.”
Resulull-llahu (a.s) tha: “E ke kuptuar drejtë, qëndro në këtë rrugë! Ti je një njeri që ia ka ndriçuar All-llahu zemrën e tij!”
Kjo ndodhi, është një thirrje meditimi për secilin prej nesh, një pyetje për t’ia bërë vetes, sa herë zgjohemi në sabah, sa herë shihemi në pasqyrë, për të kontrolluar besimin tonë, qëndrueshmërinë tonë në të, vërtetësinë e tij!
Sepse besimi, përtej fjalëve është vepër, sjellje, moral, praktikë të jetuari, shembull e rrezatim vlerash! Sepse besimi, mbi të gjitha është shtysë begatuese drejt përsosmërisë në marrëdhënie me jetën, ambientin, natyrën, krijesat, tjetrin!
Realitetet e sotme shqiptare po na dëshmojnë përherë e më shumë dobësimin e besimit, që reflektohet me shtimin e fatkeqësive sociale, grabitjes së mirësive të vendit tonë, shthurjes morale, përhapjes së korrupsionit në masë, mungesës së ekuilibrave, pabesisë, neglizhencës ndaj hallallit dhe haramit në jetë, vërshimit drejt materiales, verbimit pas pasurisë, shfaqjes së sëmundjeve shoqërore të popujve të shkuar, krimit dhe papunësisë, injorancës dhe parazitizmit etj.
Në një botë “besimi hak”, nuk ndodh çfarë ndodh në Shqipëri!? Në një shoqëri, ku respektohet tradita e besimit, tabani i shpirtit dhe shihet drejt të ardhmes së dritshme, nuk luhet me kodet e nderit, nuk preket familja, nuk i bëhet atentat të shenjtës, siç duket se ka për tendencë t’i bëhet kodit të familjes shqiptare, nga politika dhe politikanë shpirtshitur, kombshitur, pa din e pa iman!?
Në një shoqëri, ku vlerat e besimit rriten, me kthimin dhe pendimin e individëve të saj nga Zoti, nuk ka gjasa që një kryeministër, një ministër, një deputet a një individ me përgjegjësi shoqërore të presë në besë popullin e tij, trashëgiminë shekullore të tij, besimin e shpirtit, identitetin dhe besëlidhjen e tyre!?
Prandaj, shoqëria e jonë shqiptare lëngon sot, sepse është prekur nervi i besimit të saj, është plagosur krenaria kombëtare, janë përmbysur kupat e peshores; matrapazët kanë veshur kostumet e zotërive, elitat e vërteta janë pushtuar nga frika, janë mbytur në moçalishtet e elitave hibride, dyfytyrësia është bërë cilësi dhe kurajoja për të ndaluar të keqen, ves për t’u luftuar!?
Sot ngrihet zëri gjasme nga frika e ekstremizmit dhe terrorizmit fetar “me matricë islamike”, porse në të vërtetë masat tona janë hutuar, se ekstemizmi dhe terrorizmi i vërtetë shoqëror është ai i politikave që po vrasin ditë për ditë shpirtin, besimin, traditën, kodin e familjes, duke ngritur në piedestal legjitimimin e fëlliqësisë dhe anormales, degradimin e moralit të familjes dhe reklamimin e asaj që tërheq zemërimin e Zotit, si vlerë, në një rrugëtim dekadent drejt skutave më të errëta të shekujve plot njerëz-shejtanë, që “ndryshojnë ligjet e natyrës së Zotit”!
Sot, është koha për të mos heshtur përballë të keqes, me të gjitha format legjitime të përballjes, me bindjen se Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, përderisa ata të mos e ndryshojnë vetveten!
Të dashurit e mi, zgjohuni se u bëmë gazi i shekujve!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 13 maj 2016
(Nga frymëzimet e hytbes së xhumasë,
sot në xhaminë e Oblikës)